Aplikacione

Mbretëria e Bashkuar ndalon reklamat e kirurgjisë estetike për moshat nën 18 vjeç


Në Mbretërinë e Bashkuar, reklamat për operacionet estetike të krijuara për të ndryshuar pamjen fizike të një personi do të ndalohen për të synuarit nën 18 vjeç.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se mbikëqyrësi i reklamave në vend ka njoftuar se rregullat e reja mbi reklamat do të hyjnë në fuqi nga muaji maj i vitit të ardhshëm.

Pas kësaj, kompanitë nuk mund të reklamojnë më procedura të tilla si përmirësimi i gjoksit dhe operacionet e hundës nëpër media duke synuar ata nën 18 vjeç.

Lëvizja përfshin edhe programet televizive.

Paçka se kryerja e procedurave estetike për moshat nën 18 vjeç është e paligjshme, më parë nuk ka pasur kufizime për reklamimin e tyre.

Prandaj dhe vendimi vjen pas një konsultimi nga Komiteti për Praktikën e Reklamimit (CAP), i cili shkruan rregullat që duhet të ndjekin të gjithë reklamuesit në Mbretërinë e Bashkuar.

‘Kufizim për marketingun’

Kishte shqetësime për dëmin e mundshëm të reklamimit të ndryshimeve kozmetike për fëmijët dhe të rinjtë, si presionet e imazhit të trupit dhe çështjet e shëndetit mendor.

Gjithashtu, shkruan “BBC”, edhe rreziqet e komplikimet e mundshme të procedurave.

Referuar komitetit, provat kanë kontribuar në një “pamje gjithnjë e më të qartë” se fëmijët dhe të rinjtë janë të prekshëm ndaj presioneve të imazhit të trupit.

Shahriar Coupal, drejtori i CAP-it, ka thënë se “për shkak të rreziqeve të natyrshme të procedurave të ndërhyrjes kozmetike dhe apelit të mundshëm të këtyre shërbimeve për të rinjtë që luftojnë me çështjet e besimit, është e rëndësishme që ta vendosim kufizimin në drejtim të marketingut”.

Pjesë e ndalimit janë edhe trajtimet e ndryshme siç janë trajtimet me injeksion, lazer ose me dritë, si dhe produktet për zbardhjen e dhëmbëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore