Lajme

Mbretëri e Bashkuar – gjendet një statujë e hershme romake prej druri


Statuja e drunjtë

Një statujë e hershme romake prej druri është gjetur nga arkeologët në një kanal në Buckinghamshire – Mbretërinë e Bashkuar.

Skulptura, një figurë “jashtëzakonisht e rrallë” prej druri e hershme romake, 2000-vjeçare, është e kompletuar me veshje të gdhendura dhe model flokësh ose kapele.

Grupi i zbulimit bën me dije se skulptura me gjasë i përket shekullit të 1-rë pas Krishtit.

Kjo vepër arti është e para në llojin e vet që gjendet në MB për 100 vjet dhe ngre pyetje të reja rreth stilit të jetesës dhe besimeve të romakëve që u vendosën në Ishujt Britanikë në atë kohë.

Statuja, e gjatë 67 centimetër, u zbulua pranë Twyford-it, fshat i madh në qarkun mbretëror anglez të Berkshire – gjatë gërmimeve për ndërtimin e hekurudhës.

Mendohet se skulptura ishte hedhur aty në vitet e para pas pushtimit romak.

Statuja e drunjtë, e hershme romake
“Statuja i reziston kohës”

Kjo vepër arti është në gjendje mjaft të mirë. Duke qenë se bëhet fjalë për një gdhendje në dru, pritej që statuja të ishte kalbur, por në fakt ajo i kishte rezistuar kohës.

Sipas arkeologëve, kjo mund të ketë ndodhur, ngaqë ishte e zhytur thellë në kanal dhe në mënyrë hermetike.

Sakaq, studiuesit po mundohen të kuptojnë diçka më shumë për origjinën gjeografike të drurit që është përdorur për gdhendjen e statujës.

Gjithashtu ata janë të mendimit se qëllimi i skulpturës ishte i paqartë, por më parë “ka pasur shembuj të artefakteve prej druri të një epoke të ngjashme që janë përdorur si figura për t’u thurur lavde perëndive”.

Çast nga zbulimi i statujës së drunjtë

Elementi i veçantë i statujës është veshja e saj, me tunikë të gdhendur, të mbledhur në bel dhe deri në nivelin e gjurit, së bashku me një kapelë ose model flokësh të mbledhura rreth kokës.

Këmbët dhe forma e muskujve gjithashtu janë të gdhendura qartë.

Arkeologu Iain Williamson tha se, “nëpërmjet këtyre detajeve mund të kuptojmë diçka më shumë për kohën dhe individin e përshkruar në vepër dhe se cilin përfaqëson figura prej druri? Për çfarë u përdor dhe pse ishte e rëndësishme për njerëzit që jetonin në këtë pjesë të Buckinghamshire gjatë shekullit të 1 pas Krishtit?”

Tanimë priten analizat kimike që mund të “hedhin dritë” mbi prejardhjen e drurit.

Përveç statujës, rreth saj u gjetën edhe copa qeramike të viteve ‘43-‘70 pas Krishtit.

Arkeologët janë të mendimit se skulptura daton nga e njëjta kohë rreth fillimit të pushtimit romak.

Artefakte të tilla janë veçanërisht të rralla në Britani.

Jim Williams, këshilltar i lartë shkencor në Londër, tha se: “Ky është një zbulim vërtet i jashtëzakonshëm,  që na vendos ballë për ballë me të kaluarën tonë”.

“Cilësia e gdhendjes është e shkëlqyer dhe figura e skulpturës është perfekte”, u shpreh ai.

Idhulli i Dagenham-it

Gdhendja e fundit parahistorike e paprekur prej druri, zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar është “Idhulli i Dagenham-it” – statujë prej druri e një figure njerëzore të zhveshur, e gjetur në Dagenham (qytet në Londrën Lindore) në vitin 1922.

Statuja daton rreth vitit 2250 p.e.s, gjatë periudhës së neolitit të vonë ose epokës së hershme të bronzit, duke e bërë atë një nga paraqitjet më të vjetra njerëzore të gjetura në Evropë.

Marrë nga “The Guradian”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore