Jetesë & Stil

Mbretëresha Elizabeth II tash e tutje do t’i ndjekë ligjërisht Harry-n dhe Meghan Markle


Mbretëresha Elizabeth II

Princi Harry dhe Meghan Markle, ka kohë që kanë shprehur vullnetin e tyre për të hequr dorë nga postet mbretërore, por kjo nuk do të thotë se ata nuk do të kenë të bëjnë më me Mbretëreshën Elizabeth II. Madje, kjo e fundit ka vendosur që të mos tolerojë as edhe një sulm të mëtutjeshëm kundër saj.

Bazuar në burimet e të së përditshmes “The Sun”, Mbretëresha është irrituar nga veprimet e fundit të Harry-t dhe Meghan, të cilët kanë bërë deklarata tronditëse të kohëpaskohshme kundër familjes mbretërore.

Mbretëresha Elizabeth thuhet se ka zhvilluar bisedime me avokate dhe ka marrë vendimin të mos tolerojë ma asnjë akuzë sulm ndaj saj, duke u shprehur e gatshme t’i ndjekë ligjërisht ata nëse “shpifin” përsëri gjëra kundër familjes mbretërore.

Një kopje e kësaj deklarate paralajmëruese do t’i shkojë edhe shtëpisë botuese që do të nxjerrë në treg librin e Harry-t.

Muaj më parë është njoftuar se Duka i Sussex-it, Princi Harry është duke u përgatitur që shumë shpejtë ta botojë librin e tij, të cilit sipas prestigjiozes “Page Six”, ai ia ka shitur kompanisë “Penguin Random House”.

Burime të brendshme treguan se Princi Harry, i cili është përballur me një përçarje me familjen mbretërore të Britanisë së Madhe, kur edhe i ka braktisur duke vazhduar jetën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka një vit që është duke punuar për një libër me autorin dhe shkrimtarin e famshëm amerikan, John Joseph Moehringer.

Sipas “Page Six”, dorëshkrimi origjinal i librit të Harry-t do të dorëzohej në muajin gusht të këtij viti, por që i njëjti është shtyrë për në tetor si pasojë e dramave familjare në të cilat është përfshirë Princi Harry dhe gruaja e tij, Meghan Markle.

Por, gjithsesi, thuhet që drafti i parë është shkruar pothuajse plotësisht.

“Unë po e shkruaj këtë jo si princi që kam lindur, por si njeriu që jam bërë”.

“Kam veshur shumë kapele gjatë viteve, si fjalë për fjalë dhe në mënyrë figurative, dhe shpresa ime është që në tregimin e historisë sime, ngritjet dhe uljet, gabimet e mësimet e marra, unë mund të tregoj se pavarësisht nga vijmë, kemi më shumë gjëra të përbashkëta me njerëzit e thjeshtë”, pati thënë Harry në një deklaratë pasi doli lajmi.

Libri do të mbulojë “jetën e tij në sytë e publikut nga fëmijëria deri në ditët e sotme, duke përfshirë përkushtimin e tij në shërbim, detyrën ushtarake që e çoi dy herë në frontet e Afganistanit dhe gëzimin që ai ka gjetur kur ishte burrë dhe babai ‘dhe premton’ një portret personal të ndershëm dhe joshës”, zbulon tutje burimi.

Pos si libër, historia e krijuar do të publikohet edhe në formë zërimi “audio” dhe të ardhurat nga shitjet do të dhurohen për bamirësi.

Data e lëshimit për këtë botim është planifikuar paraprakisht për në fund të vitit 2022.

Përmbajtja e librit është akoma e paqartë dhe lajmi për një libër të tillë nuk është mirëpritur nga familja mbretërore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore