Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Ukrainën – i ngjashëm me ato të Luftës së Ftohtë

SHFLETO
Brixhilda Xhuraj
31.01.2022 21:21
Loading Icons...

Në një takim të Këshillit të Sigurimit të mbajtur më 31 janar si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Rusia u shprehën se donin të shmangin luftën dhe fajësuan njëra – tjetrën për nxitjen e tensionit.

Ato u përfshinë në një “përleshje të ashpër” diplomatike, pasi amerikanët akuzuan rusët se po rrezikonin paqen duke grumbulluar trupa në kufijtë e Ukrainës.

Ndërsa diplomatët e Kremlinit hodhën poshtë duke i cilësuar “SHBA-të si histerike dhe frikë ndjellëse”.

“Situata me të cilën po përballemi në Evropë është urgjente dhe e rrezikshme”, tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield në fjalën e saj hyrëse.

Homologu i saj rus, Vasily Nebenzia, i portretizoi amerikanët si provokatorë, “duke nxitur tensionet dhe duke provokuar përshkallëzim”.

Ai këmbënguli se Rusia nuk kishte plan për të pushtuar Ukrainën.

Takimi – i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara javën e kaluar – ishte arena e profilit më të lartë për të dy fuqitë.

Ajo kishte të gjithë atmosferën e Luftës së Ftohtë – të debateve të zemëruara që dikur shënuan seancat e Këshillit gjatë ditëve plot tension mes përballjeve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik dekada më parë.

Kriza aktuale që rrethon Ukrainën ka marrë shkas, që kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të ish-Republikës Sovjetike gati tetë vjet më parë.

Ngjarjet e javëve të fundit i kanë sjellë marrëdhëniet SHBA-Rusi në pikën më të ulët që nga Lufta e Ftohtë.

Rusia ka dërguar më shumë se 100 mijë trupa në kufirin ukrainas dhe presidenti Vladimir Putin ka kërkuar që NATO-ja të mos e pranojë kurrë Ukrainën si anëtare.

E gjithë kjo pjesë e përpjekjes së tij për të mbrojtur dhe zgjeruar sferën e influencës së qarkut të tij në Evropën Lindore.

Administrata Biden është zotuar se do t’i përgjigjet një pushtimi rus të Ukrainës me sanksione ekonomike.

Mbledhja e Këshillit të Sigurimit u ndërpre pas dy orësh.

Por administrata Biden e konsideroi takimin si një nismë të rëndësishme për të shfaqur vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj për t’u përballur me Rusinë në lidhje me Ukrainën.

Putin-i nuk ka folur publikisht për Ukrainën që nga dhjetori, duke zgjedhur kështu heshtjen.