Lajme

Mbi 900 civilë të vrarë gjenden në rrethinat e Kievit


Bilanci i vdekjeve në Ukrainë, sa vjen dhe rëndohet më shumë, teksa shifrat e fundit, vetëm sa i përket rrethinave të kryeqytetit, tregojnë mbi 900 civilë të vrarë.

Bilanci është rreth dy herë më i lartë se sa ai i bërë me dije dy javë më parë nga Kievi zyrtar. Ndërsa, besohet se të gjithë të vrarët, kanë mbetur të dergjur rrugëve pas largimit të rusëve nga periferitë e Kievit.

Sipas Andriy Nebytov, shefit të Policisë rajonale të Kievit, 95% e të gjithë të vdekurve janë vrarë për shkak të ekzekutimeve me armë. Në trupat e tyre, ka shenja të qarta plumbash.

Ndërkaq, edhe mënyra se si ata janë lënë pas është mizore, pasi një pjesë janë braktisur rrugëve dhe një pjesë tjetër janë groposur në varre masive.

“Praktikisht, mund të themi se gjatë pushtimit rus, njerëzit janë ekzekutuar rrugëve”, tregoi Nebytov për agjencinë e lajmeve Associated Press.

Më shumë trupa gjenden çdo ditë që kalon nën rrënoja ndërtesash të shkatërruara.

Numri më i lartë i viktimave, është regjistruar në Bucha, ku rreth 400 persona janë gjetur të pajetë.

Një masakër e vërtetë mendohet se ka ndodhur edhe në Mariupol, qytetin juglindor ukrainas, të cilin forcat ruse ende vazhdojnë ta mbajnë të rrethuar.

Në bazë të pretendimeve që vijnë prej atje, mbi 5 mijë njerëz mund të kenë vdekur si pasojë direkte e pushtimit rus. Megjithatë, mbetet ende për t’u konfirmuar gjithçka, pasi situata është kritike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore