Lajme

Mbi 83 mijë punëtorë nuk e dinë sa do e kanë pagën, Qeveria ka vendosur ta mbajë sekret vlerën e koeficientit


Foto: Albanian Post

Asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk e di akoma se sa do ta ketë pagën.

Vlera e koeficientit të ligjit të pagave nuk është bërë publike nga Qeveria e Kosovës.

Punonjësit e Administratës Publike, ata të shërbimeve shëndetësore si dhe të arsimit, vazhdojnë të jenë në pritje të informimit nga ekzekutivi.

Nga secila kategori thonë se s’kanë marrë asnjë ftesë për të diskutuar lidhur me këtë çështje.

Prandaj të njëjtit shprehen “të shqetësuar”.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Administratë Publike, Ali Gashi, në një bisedë për Albanian Post thotë se sërish Qeveria është treguar jotransparencë dhe jokorrekte.

“Absolutisht deri më tani nuk kemi asnjë informatë zyrtare edhe pse ne kemi kërkuar vazhdimisht që të bëhet publike vlera e koeficientit”, thotë Gashi.

“Duke marrë parasysh që mospërcaktimi dhe mosvendosja e vlerës së koeficientit ka krijuar pakënaqësi tek zyrtarët publikë, kjo dëshmon edhe një herë jotransparencën dhe jokorrektësinë nga ana e Qeverisë”.

Meqë nuk e dinë vlerën e koeficientit, vazhdojnë të supozojnë se sa mund të jetë ajo.

Shpresat i kanë se do të kalojë shumën prej 130 eurove, që në raport me vlerën montare të koeficientit të vjetër do të ishte rritje, meqë aktualisht është 120.

Pastaj, pagat janë të llogaritura duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Qeveria e Kosovës.

“Qëndrimi ynë zyrtarë është që ne kërkojmë që vlera e koeficientit të jetë jo më e ulët se 130 euro, por nëse Qeveria vendos që të përcaktojë një vlerë të koeficientit më shumë se 130 euro ajo do të jetë e mirëseardhur nga ana jonë”.

Por, kjo pritje në padije është shqetësuese, thotë Gashi.

Ata, tregon ai, nuk janë ftuar asnjëherë në ndonjë takim as nga kryeministri Kurti e as nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

nëse as nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe as nga ministri i Financave, Hekuran Murati e cilëson si vendim jo të duhur.

“Unë nuk kuptoj se si mund të bëhet një ligj që ka për qëllim rregullimin e pagave e personat që afektohen nga ky ligj të mos e dinë se çfarë po ndodhë”.

Të njëjtin shqetësim shpreh edhe kryetarja e Federatës së Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, Tevide Imeri.

“Nga Qeveria nuk kemi asnjë informacion zyrtar lidhur me vlerën e koeficientit të Ligjit të Pagave. Ne e kemi kërkuar, i kemi bërë një ftesë publike Qeverisë dhe vazhdimisht kemi kërkuar që vlera e koeficientit të jetë jo më e vogël se 130 euro dhe gjithçka çka flitet nën këtë vlerë për neve është e papranueshme”, thotë ajo për Albanian Post.

Imeri, potencon se lidhur më këtë çështje kanë përgatitur një ankesë të cilën në rast të pakënaqësisë së punëtorëve shëndetësorë do ta dërgojnë në Kushtetuese.

“Por, për hapat tjera të cilat do t’i marrim në momentin që e marrim informacionin, sigurisht që do të mblidhemi Këshilli Drejtues, por e kemi një ankesë të gatshme të cilën do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ftesë nga Qeveria për t’u njoftuar lidhur me vlerën e koeficientit nuk ka pranuar as kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.

“Vazhdoj të jem i pa informuar”, thotë Jasharaj për Albanian Post.

“Jo nuk kemi asnjë informacion zyrtar. Fatkeqësisht, po vazhdojmë të bazohemi në deklaratat që po dalin jozyrtare dhe po flitet për koeficientet nga më të ndryshmet. Nga analizat që kemi bërë ne konsiderojmë që çdo vlerë më pak se 130 euro do të krijoj pakënaqësi në arsim dhe në sektor tjerë. Sepse, çdo vlerë më pak nuk do të bëjë ndonjë lëvizje të dukshme”.

Jasharaj shpreson se do të informohen së paku në kohën kur u ka thënë Mimoza Kusari, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, që i bie “në dy javët e ardhshme”.

Gjatë bisedës me Albanian Post Jasharaj kritikon institucionet edhe për mostransparencë.

“Ne kemi pakënaqësi edhe me Ministrinë e Arsimit të cilët refuzojnë të bashkëbisedojnë me ne për zgjidhjen e problemeve. Nga ministrja kemi marrë ‘sqarimin’ se nuk ka kohë për diskutime”.

Buxheti i përgjithshëm i cili ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit 2022 është 745 milionë, kurse paga mesatare bruto është rreth 480 euro në muaj.

Më 4 janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik.

Me ligjin e ri, niveli i koeficienteve do të sillet nga 2 deri në 18 dhe do të afektojë rreth 83 mijë punëtorë të sektorit publik.

Më i larti i takon vetëm presidentes së shtetit, ndërsa më i ulëti u takon pozitave si; rekrut/kadet i Forcës së Sigurisë së Kosovës, kadet policor, kadet doganor dhe kadet korrektues.

Paga e një punëtori do të llogaritet duke e shumëzuar nivelin e koeficientit të pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore