Lajme

Mbi 5 milionë të vdekur në mbarë botën nga COVID-19


Pacientë në një dhomë izolimi COVID-19 në Spitalin e Urgjencës Universitare në Bukuresht, Rumani, 22 tetor 2021.

Më shumë se 5 milionë njerëz kanë humbur jetën nga COVID-19 në mbarë botën – 19 muaj që nga fillimi i pandemisë. Kështu deklaroi një raport i Universitetit Johns Hopkins të hënën e 1 nëntorit.

Vaksinat kanë ngadalësuar shkallën e vdekjeve, por disa ekspertë shëndetësorë thonë se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i lartë.

Ky moment historik vjen mes paralajmërimeve nga zyrtarët shëndetësorë se rastet dhe vdekjet në disa vende po rriten për herë të parë në muaj.

Gati 250 milionë raste të virusit janë regjistruar në mbarë botën.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se numri i vërtetë global i vdekjeve nga pandemia mund të jetë dy deri në tri herë më i lartë se të dhënat zyrtare.

Një punonjës dezinfekton një zonë pranë një kishe brenda stacionit hekurudhor Savyolovsky në Moskë, Rusi, 26 tetor 2021.

Në SHBA, më shumë se 745 mijë e 800 njerëz kanë vdekur – duke e bërë atë vendin me numrin më të madh të vdekjeve të regjistruara.

Pasohet nga Brazili, me 607 mijë e 824 vdekje të regjistruara dhe India, me 458 mijë e 437. Por ekspertët e shëndetësisë besojnë se këto shifra janë nën raportim, pjesërisht për shkak të vdekjeve në shtëpi dhe atyre në komunitetet rurale.

Botës i është dashur më shumë kohë për të arritur numrin e fundit të 1 milion vdekjeve sesa dy të mëparshmet.

U deshën mbi 110 ditë për të shkuar nga 4 milionë vdekje në 5 milionë. Kjo krahasohet me pak më pak se 90 ditë për t’u rritur nga 3 milionë në 4 milionë.

Ndërsa vaksinat kanë ndihmuar në uljen e shkallës së vdekshmërisë, OBSH-ja paralajmëroi javën e kaluar se pandemia ishte “shumë larg përfundimit”.

Flamujt e bardhë që përfaqësojnë njerëzit që kanë vdekur nga COVID-19 në Brazil mbulojnë një fushë si pjesë e një proteste kundër politikave shëndetësore të qeverisë jashtë Kongresit Kombëtar në Brasilia, Brazil, të premten, 15 tetor 2021.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vuri në dukje një rritje të rasteve në Evropë, ku vendet me shkallë të ulët të vaksinimit po shohin rritje të infeksioneve dhe vdekjeve.

Javën e kaluar, Rusia regjistroi numrin më të madh të rasteve dhe vdekjeve ditore që nga fillimi i pandemisë.

Rusia përbën 10 për qind të miliona vdekjeve të fundit të regjistruara globalisht.

Bullgaria dhe Rumania kanë disa nga nivelet më të këqija të vdekshmërisë nga COVID në botë dhe spitalet e tyre po përpiqen të përballojnë fluksin.

Ata kanë normat më të ulëta të procesit të vaksinimit në Bashkimin Evropian.

Më shumë se 7 miliardë doza vaksinash janë administruar në mbarë botën, por ka një hendek midis kombeve të pasura dhe të varfra.

Vetëm 3.6% e njerëzve në vendet me të ardhura të ulëta janë vaksinuar, sipas “World in Data” të Universitetit të Oksfordit.

Varrezat e reja në Yastrebkovskoe, e cila shërben si një nga vendet për ata që vdiqën nga coronavirusi, jashtë Moskës, Rusi, 21 tetor 2021.

Dr. Tedros tha se, nëse dozat e vaksinës do të ishin shpërndarë në mënyrë të drejtë, “ne do të kishim arritur objektivin tonë 40% në çdo vend deri tani”.

“Pandemia vazhdon në një pjesë të madhe, sepse qasja e pabarabartë në mjete vazhdon”, vijoi ai.

Vaksinat kanë lejuar që shumë vende të hapen gradualisht, me shumicën e botës që tani lehtëson kufizimet.

Gjatë kësaj dite, Australia rihapi kufijtë e saj për herë të parë në 19 muaj.

Por Kina – ku u shfaq për herë të parë virusi – është ende duke shqyrtuar një strategji zero-Covid, ku edhe një infeksion mund të çojë në një bllokim të rreptë dhe testim masiv.

Numri i vdekjeve të një vendi bazohet në raportet ditore nga autoritetet shëndetësore të vendit, por numrat mund të mos pasqyrojnë plotësisht numrin e vërtetë në shumë vende.

Jo të gjitha vendet regjistrojnë vdekjet nga coronavirusi në të njëjtën mënyrë, që do të thotë, sipas ekspertëve, se është e vështirë të krahasohen nivelet e tyre të vdekjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore