Kosova

Mbi 40 raste me COVID-19 për dy javë në Kosovë – IKSHPK apelon për kujdes


Ilustrim.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se në dy javët e fundit në Kosovë janë raportuar 46 raste pozitive me COVID-19 dhe asnjë rast i vdekjes.

Përmes një komunikate të lëshuar nga IKPSHPK-ja është sqaruar se sipas grup-moshave rezulton se numri më i madh i rasteve i takojnë grup-moshave 40-49 vjeç.

“Prej rasteve të konfirmuara, sipas komunave rezulton se numri më i madh është raportuar nga komuna e Prishtinës dhe Kamenicës (me nga 14 raste), kurse incidenca më e lartë e rasteve në 100,000 banorë është raportuar në komunën e Kamenicës”, njofton IKSHPK.

Përkundër rasteve të shënuara së fundi, situata epidemiologjike në Republikën e Kosovës me COVID-19 mbetet e qetë, ndërsa qytetarët që manifestojnë shenja të infeksionit këshillohen të testohen dhe konsultohen me mjekun për çdo dyshim në COVID-19.

Edhe në muajt shkurt, mars ishin shënuar raste të shumta me COVID-19.

Përmes një komunikate për media nga IKSHPK-ja ishte thënë se Kosova është duke shënuar trend të rritjes së rasteve të reja.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Ndërsa me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes qytetarët janë këshilluar të vaksinohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore