Mbi 4 javë greva, kjo s’ka ndodhur qe 20 vjet në Kosovë

Greva në arsim: Foto nga Albanian Post.

Altina Marmullaku
28.09.2022 7:30
Loading Icons...

Kosova jo rrallëherë është ballafaquar me greva.

Në periudha të ndryshme, sindikatat kishin paraqitur kërkesa ndaj qeverive që udhëhiqnin vendin.

Por, greva që filloi më 25 gusht rezulton të jetë greva më e madhe që është mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Arsim Osmani, i cili ishte zyrtar për informim në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që nga viti 2004 deri në vitin 2008, pohon se edhe në të kaluarën ka pasur greva, por më afat kohor më të shkurt.

“Nuk më kujtohet që ka pasur ndonjë grevë më të madhe”, thotë ai për Albanian Post.

“Grevat gjithmonë në të kaluarën kanë shkuar tri ose katër ditë jo në këtë përmasë”.

Sipas tij, arsyeja e moszgjidhjes së këtij problemi aktual qëndron vetëm tek mungesa e bisedimeve.

Foto: Albanian Post.

“Pas lufte, ashtu siç e mbaj mend unë gjatë kohës kur kam qenë në BSPK, ka pasur më shumë dialog social, dialog të barabartë social sesa greva, protesta. Ndonjë protestë me 1 maj, të cilat nga viti në vit filluan edhe të zbehen, grevat përfundonin me afatshkurtër për shkak të dialogut që mbahej në atë kohë”.

Nga përvoja e tij, Osmani konsideron se një grevë kaq e gjatë nuk është dashur të lejohet nga ekzekutivi.

Kjo për arsyeje se është diçka që shkon në dëm të madh të vendit.

“Sindikatat duhet ta ndërprenë grevën, por të vazhdojnë me kërkesat e tyre. Në ligjëratat që kam marrë pjesë në Evropë, grevat në arsim nuk lejohen, vetëm pas orarit të punës meqenëse arsimi është interes nacional shtetëror”.

Edhe Ali Gashi, i cili që nga viti 2010 është kryetar i administratës publike në BSPK, thotë se kjo është greva më e madhe e “sindikalizmit në Kosovë”.

“Nga koha që ekziston sindikalizmi në Kosovë, kjo është greva më e madhe. Zakonisht grevat vinë si rezultat ku qeveria hesht para kërkesave të të punësuarve, të cilat i plason sindikata. Edhe në të kaluarën grevat janë mbajtur me të njëjtën formë, nxënësit nuk kanë shkuar në shkollë, mësimdhënësit kanë shkuar, por kanë bojkotuar mësimin”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kreu i SBASHK-u, Rrahman Jasharaj.

Madje, ai kujton vetëm një grevë me një periudhë pak më të gjatë që i afrohet kësaj aktuales.

Por, edhe pse ishte më e gjatë, komunikimet mes sindikatave dhe qeverisë nuk kishin munguar.

“Një grevë pak më e gjatë që është mbajtur ka qenë tri javore gjatë mandatit të ish kryeministrit Ramush Haradinaj. Kurse grevat tjera, kanë qenë greva një ditore paralajmëruese si zakonisht sipas ligjit për organizimin e grevave. Por, realisht gjatë kësaj periudhe nuk kanë reshtur së komunikuari sindikata dhe qeveria, duke u nisur nga ministrat e deri te kryeministri”.

Gashi, shton se me dialog “kanë ardhur tek marrëveshjet të cilat kanë qenë marrëveshje të negociueshme”.

Si sindikatë janë të vetëdijshëm se greva është zgjatur, por thotë se faji nuk qëndron tek ta.

“Unë konsideroj që edhe një grevë dy ditore e tri ditore është e gjatë. Por kjo konkretisht vije vetëm atëherë kur Qeveria barrikadohet rreth qëndrimeve të tyre e që në realitet nuk do të duhej”.

Si ndikon në aspektin psikologjik mungesa e shkollës tek fëmijët?

Përveç orëve të humbura dhe mësimeve, greva mund të sjell edhe pasoja të tjera tek të gjithë nxënësit.

Në një bisedë për Albanian Post, psikologu Imri Zabeli, sqaron se mos vijimi i mësimit mund të sjell pasoja të ngjashme në shëndetin mendor sikur ato të pandemisë COVID-19.

“Mos hapja e shkollave, si pasojë e grevave pas viteve të pandemisë COVID-19, provokojnë tek nxënësit reaksione psikologjike të ngjashme me periudhën e pandemisë. Veç se tani objekt i mllefit dhe i frustimit janë mësimdhënësit dhe institucionet, varësisht si ua transmetojnë të rriturit”, thotë Zabeli për Albanian Post.

Një tjetër pasojë që do të përcillet tek nxënësit është edhe ritmi i mësimnxënies.

Shkolla “Faik Konica” në Prishtinë.

“Pushimi i gjatë ndikon në ritmin e mësimnxënies së nxënësve, në mungesën e rikujtimit efikas të mësimeve paraprake si rezultat i shkëputjes nga sistemi mësimor, rutina jo produktive jashtë sistemit arsimore nxitë tek nxënësit ndjenjën e të qenit të padobishëm e të parëndësishëm”.

Java e katërt në arsim që shkollat e Kosovës mbesin nën dry

Më 23 shtator, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës për grevën në arsim.

Rezoluta e partisë opozitare, PDK-së, kishte paraparë që Qeveria të nisë negociatat me Këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) brenda 48 orëve dhe të gjendet zgjidhje për dhënie fund të grevës.

Foto: Albanian Post

Përveç punëtorëve të arsimit, që nga 25 gushti në grevë janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Partitë opozitare dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë vazhdimisht kanë shprehur shqetësimin për grevën e mësimdhënies në sektorin publik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte zhvilluar takim me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, por që takimi kishte përfunduar pa ndonjë rezultat në këtë drejtim.

Të fundit

Aktuale