Lajme

Mbi 2 mijë qytetarë kanë riregjistruar veturat e tyre nga targat ilegale në RKS


Ilustrim.

Që nga 1 nëntori mbi 2 mijë e 222 qytetarë kanë aplikuar për riregjistrimin e veturave në Veri të Kosovës.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar drejtori i Policisë për Veri, Veton Elshani.

“Deri të mërkurën në ora 16:00 mbi 2 mijë e 222 qytetarë i kanë konvertuar targat në RKS”, ka thënë Elshani për AP.

Ministria e Punëve të Brendshme, kishte njoftuar se të gjitha personat që kanë automjete targa ilegale do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat për regjistrim në targa RKS, deri më datë 1 dhjetor 2023.

Kjo përfshinë taksat doganore, taksën administrative në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve, tarifën për targa dhe tarifën për pajisje me certifikatë të regjistrimit të automjet.

Marrëveshja e Brukselit për lirinë e lëvizjes e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është arritur në vitin 2011 dhe ajo parashihte që në Kosovë të përdoren vetëm targat me shenjat RKS (Republika e Kosovës) ose KS (Kosovë, neutrale ndaj statusit).

Në marrëveshje thuhej se “si masë e përkohshme autoritetet e në Kosovë do të zgjasin vlefshmërinë e targave KS për një periudhë fillestare prej pesë vjetësh”.

Kosova dhe Serbia, në vitin 2016 sërish janë marrë vesh për vlefshmërinë e targave KS edhe për pesë vjet, që do të thotë se “afati i përdorimit” të tyre ka skaduar në vitin 2021.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në vitin 2020 ka anuluar Udhëzimin administrativ për regjistrimin e automjeteve me targa KS, në mënyrë që ato të mos lëshohen më nga shtatori i vitit 2021.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targat, ashtu sikurse edhe për dokumentet personale, ka shkaktuar revoltën e serbëve në Veri të Kosovës, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit të vitit 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore