Lajme

Mbi 180 të burgosur kërkojnë nga presidentja falje të dënimeve


Foto: Venhar Mehmeti.

Vetëm gjatë vitit 2022, mbi 180 të dënuar për vepra të ndryshme penale i janë drejtuar me kërkesë presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, që t’ua falë dënimet.

Lajmin për Albanian Post, e ka bërë të ditur zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Florent Gashi.

“Nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani kemi bërë grumbullimin e informacioneve për 183 të dënuar dhe kemi përcjellë për procedurë të mëtutjeshme”.

“Të dënuarit që kanë bërë kërkesa për falje janë të dënuar për vepra të ndryshme penale”, ka thënë Gashi për AP.

Edhe në vitin e kaluar ishte bërë një numër i kërkesave nga të burgosurit që ishin dërguar për falje tek presidentja.

Por, as në vitin 2021, nuk ishte falur asnjë i dënuar, kurse vizita mjekësore nga Ministria e Shëndetësisë për të burgosurit ishin 42 mijë e 628.

Burgu i Sigurisë së Lartë në Kosovë.

Faljet në të kaluarën për të burgosurit

Gjyqtari në Gjykatën e Apelit, Hasan Shala, në një prononcim për Albanian Post, ishte shprehur se në të kaluarën ka pasur falje nga zyra e Presidencës.

“Kur kanë qenë të sëmurë edhe kur kanë qenë afër përfundimit të vuajtjes së dënimit, i kemi falur një vjet, dy vjet, tri vjet”, kishte thënë Shala.

Ai kishte theksuar se presidentja e ka të drejtën të ndërpresë dënimin e një të dënuari kur gjendja e tij shëndetësore përkeqësohet.

“Është institucioni i faljeve të dënimeve ku presidentja e vendit shfrytëzon mundësinë që personat e sëmurë, që janë me sëmundje kronike të ju ndërpres edhe t’i fal dënimet, jo të gjitha dënimet po zakonisht falen ngapak”.

Në anën tjetër për kushtet të cilat ju ofrohen të sëmurëve në Shërbimin Korrektues të Kosovës deklaron se janë të përshtatshme, por që ka sëmundje që nuk shërohen as në Kosovë, aq më pak në burgje.

“Kemi sëmundje që nuk shërohet as në Kosovë, këtu është problemi më i madh për ndryshe në rastet kur është duke vuajt dënimin edhe nuk ka shërim këtu është institucioni tjetër që është pezullimi i dënimit”.

Çka parasheh ligji për faljen e të burgosurve në Kosovë?

Juristi Arbër Jashari, thotë për AP se falja është në diskrecion të plotë të presidentit të Republikës, pasi këtë të drejtë ekskluzive ia jep Kushtetuta e Kosovës.

“Ligji për faljen nuk ka përcaktuar kriteret në mënyrë taksative, të cilat do të duhej t’i merrte parasysh me rastin e faljes se një të burgosuri, por në vija të trasha, thekson rrethanat që mund të shqyrtohen gjatë dhënies së faljes”.

Jashari kishte sqaruar se kjo, “nuk kufizohet vetëm në peshën e krimit, rreziku i recidivizmit; pendimi i sinqertë, shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm”.

Por, që sipas tij presidentja e Kosovës duhet që këtë të drejtë ta ushtrojë.

“Mendoj që Presidentja e Kosovës, pavarësisht për kë bëhet fjalë, duhet që këtë të drejtë që ja ka dhënë akti më i lartë juridik i shtetit, ta ushtrojë sa më shpesh që është e mundur, në mënyrë të përgjegjshme e të dinjitetshme, pa friken se mund të paragjykohet nga opinioni publik, ose mund të mos kuptohet drejt”.

“Kjo ngase e drejta për të kërkuar falje, është e drejtë e të burgosurve”.

Gjithashtu, sëmundjet e rënda dhe të pashëruara, mund të shërbejnë si rrethanë, për paraqitjen e kërkesës për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit, pranë Gjykatës Supreme.

Kush nga presidentët fali më shumë?

Presidenti i parë i Kosovës, Fatmir Sejdiu, pas shpalljes së pavarësisë që iu dha e drejta për të falur të burgosurit ishte ai që e shfrytëzoi më së shumti këtë të drejtë pasi fali 124 të burgosur brenda mandatit një mijë e 690 ditësh.

Më pak fali presidentja Atifete Jahjaga me dekretet e lëshuara për 21 të burgosur për një mijë e 827 ditë sa ishte në krye të shtetit.

Në anën tjetër, Vjosa Osmani, presidentja aktuale e Kosovës ende nuk e ka falur asnjë të burgosur.

Tradicionalisht, presidentët kanë shpallur dekrete për falje rreth datës së përvjetorit të pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit.

Zyra e Presidencës në Kosovë.

Ndonëse, presidenti Hashim Thaçi shpalli shpesh disa dekrete brenda vitit në data të ndryshme, duke përfshirë edhe datat afër fundvitit.

Që nga viti 2009 e tutje, sipas dekreteve të publikuara në faqen zyrtare të Presidencës, në total janë falur 316 persona, nga ta vetëm 17 gra.

Sipas të dhënave të Shërbimit Korrektues të Kosovës, aktualisht në institucionet korrektuese janë një mijë e 642 persona të burgosur, prej tyre 574 janë të paraburgosur, ndërsa një mijë e 68 janë të dënuar.

Albanian Post edhe para një viti, kishe publikuar një artikull për faljet ndaj të burgosurve të cilët vuanin nga sëmundjet e rënda shëndetësore.

Asnjë falje presidenciale për të sëmurët rëndë në burgjet e Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore