Shqipëria

Mbi 1 mijë të shëruar nga Covid-19, 3 humbje jete në Shqipëri


Gjatë 24 orëve të fundit, tre pacientë kanë humbur betejën me coronavirus-in dhe kanë rezultuar pozitivë 45 qytetarë në Shqipëri.

Aktualisht në spitalet COVID janë duke u trajtuar 86 pacientë. Shtatë prej tyre ndodhen në terapi intensive, nga të cilët tre janë të intubuar.

Situata në spitale shfaqet më e qetë dhe në rënie të dukshme.

Janë kryer 2 mijë e 596 testime dhe janë shëruar 1 mijë 50 qytetarë. Numri i të shëruarve ka pësuar rritje gjatë kësaj jave.

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 632 mijë shqiptarë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije se mbi 100 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 760 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.1 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Më 5 maj u mblodh sërish Komiteti i Ekspertëve, ku la në fuqi masat e marra më përpara për sa i përket fashës orare të lëvizjes deri në orën 22.00.

Ministria gjithashtu ju bën apel të gjithë qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. Apel ka edhe për vijimin e zbatimit të rregullave për parandalimin e COVID-19.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore