Mbi 1.3 miliardë euro erdhën sivjet nga diaspora në Kosovë

SHFLETO

Ilustrim

 

Armat Matoshi
27.12.2023 11:22
Loading Icons...

Në bazë të të dhënave të të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), diaspora ka sjellë mbi 1.3 miliardë euro në Kosovë nga 1 janari deri në nëntor të vitit 2023, apo rreth 10.2 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Shumica kanë ardhur nga institucionet financiare jo-bankare, pasuar nga kanalet tjera me 19 për qind dhe bankat me 16 për qind.

BQK-ja, për sa i përket aseteve të kompanive të sigurimit, ka thënë se deri në muajin dhjetor, vlera e tyre ishte 300.6 milionë euro dhe paraqet një rritje prej rreth 200 mijë euro krahasuar në muajin tetor të këtij viti. Nga ana tjetër, sipas raportit, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.65 miliardë euro, duke shënuar rritje për 54.3 milionë euro.

Remitencat nga diaspora, vazhdojnë të paraqesin një prej burimeve kryesore të financimit të konsumit të ekonomive familjare dhe luajnë rol mjaft të rëndësishëm në mirëqenien e një numri të madh të qytetarëve të Kosovës, duke shënuar rritje vit pas viti. Paratë e diasporës vijnë në kosovës kryesisht nga Gjermania, Zvicra, Austria dhe Suedia, por edhe shtete të tjera.

Kosova vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Në ndërkohë po vazhdon edhe “ping-pongu” se kush ka më shumë faj. Opozita po e akuzon ekzekutivin për politika të gabuara ekonomike, derisa dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, po ia kthejnë shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore.