Lajme

Mbështeti Rusinë, ShBA sanksionon kompaninë serbe


Zyra e Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) ka ndërmarrë veprime për të zbatuar më tej angazhimet që liderët e G7-ss morën me 24 shkurt dhe 19 maj, ku ka vendosur që të sanksionojë rreth 120 individë dhe kompani për mbështetje të luftës së Federatës Ruse në Ukrainë.

Njëra nga këto kompani të sanksionuara është nga Serbia, e quajtur MCI Trading DOO, që e ka selinë në Beograd.

Siç njofton Departamenti amerikan i Thesarit, kjo kompani i ka ndihmuar kompanisë ruse “AK Microtech” për të blerë pajisje të teknologjisë së lartë, me prodhues nga Azia, Evropa dhe Lindja e Mesme.

“MCI ka bërë gjithashtu dhjetëra dërgesa në AKK që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Shtetasi serb Ivan Cvetiç  ( Cvetiç ) është drejtor i MCI”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, kompania ruse, AK Microtech akuzohet nga Departamenti amerikan i Thesarit se i ka ofruar Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, pajisje të teknologjisë së lartë.

“Një numër i atyre që i pranojnë këto pajisje janë persona dhe entitete të sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara. AK Microtech punon me ndërmjetësues jorusë për t’i dërguar pajisjet te pranuesit rusë” është thënë në deklaratë.

“Një prej këtyre ndërmjetësuesve është kompania serbe MCI Trading DOO”.

Aty është theksuar se kompania serbe ka kryer një mori transferesh për kompaninë ruse që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ndryshe, Departamenti amerikan i Thesarit, të mërkurën, e ka sanksionuar biznesmenin maqedonas Jordan “Orce” Kamçevin, me arsyetimin se e ka abuzuar pozitën që e ka pasur.

Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja, brenda Departamentit amerikan të Thesarit, Kamçev “është përfshirë në aktivitete korruptive dhe e ka çuar përpara një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.

Në njoftimin e lëshuar nga autoritetet amerikane, përmendet se Kamçev është shpallur fajtor në rastin “Parcelat e Vodnos”, sepse është përfshirë në një skemë për pastrim parash, të lidhur me blerje të paligjshme të tokës për ndërtim.

“Në një rast tjetër, Kamçev është deklaruar fajtor për shpërdorim të detyrës në rastin ‘Perandoria’, në të cilin ai është dyshuar për mashtrim, pastrim parash dhe krime tjera të lidhura me bizneset e tij”.

Sipas njoftimit, Kamçev e ka përdorur ndikimin e tij dhe pasurinë për ta manipuluar sistemin e drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, në të mirë të tij.

“Më 2020, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale është akuzuar se ka pranuar ryshfet nga Kamçevi dhe ka dëshmuar se Kamçev ka paguar para në këmbim të kushteve të favorshme të arrestimit dhe rrjedhës së rastit. Kamçev më vonë e ka hapur një rast civil kundër kryeprokurorit dhe të tjerëve, duke pretenduar se ata e kanë zhvatur. Një gjykatë civile në Shkup ka marrë vendim që Kamçevi nuk ka qenë viktimë dhe se nuk i takon dëmshpërblimi”.

Ai është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera.

Në janar të vitit 2022, Kamçev është liruar nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh.

SHBA-ja sanksionon biznesmenin maqedonas

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore