Shqipëria

Mbërrijnë 2 avionë nga Selaniku për shuarjen e flakëve në Malin e Çikës


Në Malin e Çikës kanë mbërritur dy avionë Canadair nga Greqia dhe kanë nisur punën për shuarjen e flakëve.

Një betejë kjo me zjarrin prej katër ditësh tanimë.

Më herët, prefekti Flamur Mamaj bëri me dije se ishin në pritje të përgjigjes pasi kishin nisur negociatat me shtetin fqinj për të sjellë avionë në mënyrë që të bëhej ndërhyrja nga ajri.

Këtë të enjte të 14 korrikut nisi operacioni për shuarjen e flakëve, me angazhimin e forcave të ushtrisë dhe zjarrfikësve lokalë.

Ndërhyrja me këmbë ishte e vështirë të bëhej për shkak se vatrat e zjarrit ishin në humnerë dhe përbën rrezik për jetën e zjarrfikësve.

Çka bëri që të nisnin negociatat për ndihmë nga Greqia dhe brenda pak orësh erdhën dy avionë Canadair nga Selaniku.

Deri më tani janë djegur 70 hektarë.

Sakaq, tymi i atjeshëm i zjarrit u përhap në fshatin bregdetar të Dhërmiut, duke krijuar probleme për pushuesit.

Maja e Çikës ka qenë ndër më të prekurat prej zjarreve në zonën e jugut të vendit edhe vitin e shkuar, ku qindra hektarë pyje, bimësi e shkurre u dogjën nga temperaturat e larta dhe pakujdesia njerëzore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore