Euro 2024

Mbappe vs Ronaldo: Takohen galaktikët e Real Madridit – e shkuara dhe e ardhmja


Futbollisti i Francës, Kylian Mbappe, u rrit me fotografinë e portugezit Cristiano Ronaldo në dhomën e tij, shkruan BBC.

Ndërkaq të premten ylli francez do të luaj kundër atij portugez në çerekfinale të Kampionatit Evropian që po zhvillohet në Gjermani.

Si 13 vjeçar, Mbappe e kishte vizituar Ronaldon që atë kohë po luante në Real Madrit dhe e kishte quajtur “heroi im”.

Kjo përballje e ikonave të futbollit po shihet si ballafaqim i gjeneratave, derisa ky evropian do të jetë i fundit për 39 vjeçarin portugez.

Ronaldo hyn në ndeshjen e së premtes pa shënuar gol në tetë ndeshje rresht në turne madhor – katër ndeshje në Kupën e Botës 2022 dhe katër në këtë evropian.

Situata nuk ka qenë e mirë as për Mbappen në “Euro 2024”, meqë ky i fundit  e theu hundën në ndeshjen hapëse të Francës kundër Austrisë dhe prej asaj kohe po shfaqet në fushë me maskë për mbrojtje.

Mbappe e ka shënuar një gol dhe ishte nga penalltia kundër Polonisë. Është i vetmi gol i shënuar nga ndonjë lojtar i Francës në këtë evropian.

Ndryshe, Mbappe shënoi “hat-trick” në finale të Kupës së Botës dhe ka shifra të përafërta me Ronaldon sa u përket golave të realizuar në pjesën e parë të karrierës.

Ai tashmë ka 48 gola për Francën në moshën 25-vjeçare, dhe 48 gola tjerë në Ligën e Kampionëve nga 73 paraqitje.

Mbappe po e ndjek rekordin e Ronaldos në nivel përfaqësuesesh (130 gola) dhe të Ligës së Kampionëve (140 gola).

Por, jashtë fushës, Mbappe ka ende shumë për të bërë. Ronaldo mbetet një ikonë në Madrid, ka një hotel me markën CR7 në qytet dhe tërheq më shumë se gjysmë miliard ndjekës në llogaritë e tij.

Megjithatë, Mbappe, duke qenë ylli kryesor dhe pika e madhe e shitjes e PSG-së gjatë kohës së tij atje, do të vendoset në një piedestal të ngjashëm sapo të mbërrijë në Madrid ku u transferua gjatë këtij viti.

Ai kishte qenë pranë nënshkrimit me Real Madridin edhe në vitin 2022, por në momentet e fundit kishte vendosur për rinovimin me PSG-në.

25-vjeçari tek Real Madridi u transferua si lojtar i lirë. Mbappe pritet të fitojë një pagë prej 15 milionë eurove në vit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore