Sport

Matthew Hoppe talenti që pritet të “çmend” Europën


Matthew Hoppe është talenti i radhës te gjermanët e Schalke-s. Amerikani i datëlindjes 13 mars 2001, këtë sezon ka bërë debutimin në Bundesligë. Ndonëse arriti që të debutonte më herët me Schalke-n, Hoppe e nënshkroi kontratën si futbollist profesionist më 1 shkurt 2021.

Hoppe ka lindur në Kaliforni, luan si qendërsulmues dhe është 190 cm i gjatë. Fillimisht është aktivizuar në akademitë e të rinjëve të California United Strikers-it dhe Barça Residency Academy, në Arizona.

Më 1 qeshor të 2019, lojtari u transferua te akademia e Schalke-s U19. Pas një viti me Schalke-n U19, kaloi në ekipin e Schalke-s së II-të dhe më pas në ekipin e parë.

Me U19, luajti 17 ndeshje në Bundesligën e Perëndimit U19, ku realizoi tre gola dhe një asist. Dhe tre paraqitje në Kupën e Gjermanisë për grupmoshat U19, ku realizoi dy gola.

Më pas u aktivizua në Ligën Rajonale të Perëndimit, me ekipin e Schalke-s së II-të. 16 ndeshje, një gol dhe një asist arriti në këtë ligë.

Më 28 nëntor 2020, Hoppe bëri debutimin me ekipin e parë të Schalke-s. Pikërisht në një ndeshje të rëndësishme në Bundesligë, përballë Borussia Monchengladbach-ut. Më 9 janar 2021, shënoi golin dhe njëkohësisht tripletën e parë, në përballjen me Hoffenheim-in. Hoppe u bë amerikani i parë që shënon tripletë në Bundesligë.

Në sezonin aktual, numëron nëntë paraqitje me Schalke-n në Bundesligë, ku ka realizuar pesë gola. Vlera në tragun e transferimeve është mbi 100 mijë euro, por sigurisht që Schalke, kurrsesi nuk do të privohej nga lojtari, për një shumë të tillë.

Me kontratën e parë si futbollist profesionist, Hoppe do të jetë pjesë e Schalke-s së paku deri në vitin 2023.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore