
Pesë faqe të tjera dokumentesh të klasifikuara janë gjetur në shtëpinë e familjes së presidentit amerikan Joe Biden në Delaware.
Kështu ka thënë, Richard Sauber, avokati i Biden, i cili theksoi se ai zbuloi dokumentet shtesë të enjten dhe iu dorëzuan menjëherë Departamentit të Drejtësisë.
Avokatët e Biden kanë sqaruar se dokumentet kanë të bëjnë me kohën e tij si zëvendëspresident i Barack Obamës.
Një avokat special po heton trajtimin e dosjeve nga Biden.
Zbulimi i dokumenteve gjatë gjithë hetimit është quajtur një siklet politik për presidentin, pasi vjen gjatë një hetimi në vazhdim për keqpërdorimin e supozuar të dosjeve të klasifikuara nga vetë ish-presidenti Donald Trump.
Një dokument me shenja të klasifikuara ishte gjetur tashmë në garazhin e shtëpisë së familjes së Biden në Delaware këtë javë, ku ai mban makinën e tij sportive Chevrolet Corvette të viteve 1960.
Por tani, Shtëpia e Bardhë ka thënë se pesë faqe të tjera dokumentesh të klasifikuara u gjetën në rezidencën e Biden të enjten në mbrëmje.
Në një deklaratë të shpërndarë në Twitter, Sauber tha se avokatët e presidentit nuk kishin leje sigurie dhe për këtë arsye ndaluan kërkimin në zonën e menjëhershme ku u gjet faqja e parë e materialit të klasifikuar të mërkurën.
Por Sauber, i cili ka leje sigurie, thotë se ai u kthye në shtëpinë e Biden në Delaware të enjten në mbrëmje për t’i bërë gati dokumentet për t’ia dorëzuar Departamentit të Drejtësisë.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com