“Mashallah”, Lekaj: Qeveria Kurti pagoi 113 milionë euro rrymë për serbët në Veri

SHFLETO
Valon Rashiti
15.11.2023 14:26
Loading Icons...

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se Qeveria ka ndarë 113 milionë euro për t’ia paguar rrymën serbëve në katër komunat veriore të Kosovës.

“Mashalla 113 milionë euro rrymë ju paguan serbëve nga Qeveria Kurti në 2021/22. E dëshmuan në raportim KOSST”, shkroi ai në Facebook.

Lekaj e ka përmendur edhe kohën sa ishte në udhëheqje të Qeverisë, Ramush Haradinaj dhe për kritikat ndaj këtij të fundit për ndarjen e 1 milionë eurove për pagesën e rrymës për serbët.

“Më kujtohet kur ishte kryeministër Haradinaj, patëm marrë vendim që t’i ndanim 1 milionë euro për pagesë të energjisë komunave veriore, dhe Lëvizja Vetëvendosje (pushteti i tanishëm) nuk la fyerje e etiketim poshtëruese pa na bërë. Qytetarët le të gjykojnë e vlerësojnë racionalisht”, shtoi ai.

Ndërsa deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, theksoi se pagesa u bë me vendim të Kuvendit.

“Ndërkaq, në vitin 2022 u anashkalua Kuvendi dhe pagesa u krye me vendime tjera”, shkroi ai në Facebook.

“Qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri. Tani paguajnë shumëfish më shumë dhe nuk i shihet fundi si do të mbyllet kjo çështje”.