Lajme

Maserati zbulon linjën e re të automjeteve luksoze elektrike


Maserati, prodhuesi italian i makinave luksoze, ka prezantuar një gamë automjetesh tërësisht elektrike të quajtura Folgore.

Në të përfshihet një version sportiv i gjeneratës tjetër GranTurismo, një version elektrik i Levante-s më të shitur, Grecale SUV krejtësisht të ri dhe disa makina të tjera luksoze sportive dhe kabrio.

Sipas kompanisë, versionet elektrike të të gjitha modeleve do të ofrohen deri në vitin 2025 dhe se do të kthehej në tërësisht elektrike deri në vitin 2030.

Shefi ekzekutiv, Davide Grasso, ka thënë se do të synohet heqja e plotë e shitjeve të makinave me motor me djegie të brendshme deri në vitin 2030.

Megjithatë, ai ka lënë të kuptohet se kjo do të varet nga tregjet dhe kërkesa e klientëve.

Për objektivin e vitit 2030, ai ka thënë se do të ndikojë në pjesë të ndryshme të botës me një lloj shpejtësie të ndryshme, në varësi se sa shpejt do të lëvizin tregjet drejt një të ardhmeje të elektrifikuar.

Kështu, Maserati pretendon të jetë “marka e parë luksoze që përfundon linjën e saj elektrike deri në vitin 2025”.

Edhe markat e tjera të makinave sportive luksoze si Porsche, Ferrari dhe Lamborghini, kanë shpallur planet e tyre të elektrifikimit.

Por kalimi ka qenë relativisht më i ngadaltë në mesin e prodhuesve të automjeteve luksoze, pasi shumica i japin përparësi motorëve V8 dhe V12.

Për vite me radhë, Maserati nuk i ka ndjekut me të vërtetë planet për makinat elektrike.

Mbase për shkak të qëndrimit apatik të kompanisë mëmë, Fiat Chrysler, e cila i ka injoruar automjetet elektrike.

Ka qenë viti 2019 kur kompania e ndryshoi kursin, duke njoftuar një sërë modelesh elektrike.

Tanimë, planet po vijnë në vëmendje.

Coupe GranTurismo do të jetë makina e parë elektrike që do të dalë nga linja e produkteve Folgore. Ajo do të prodhohet në fabrikën e Maserati Mirafiori në Torino, Itali.

Kjo fabrikë së fundmi ka marrë një rikonstruksion prej 700 milionë euro për t’u përgatitur për prodhimin e automjeteve elektrike.

GranTurismo elektrike do të ketë një performancë të lartë me 1 mijë e 200 kuaj fuqi dhe shpejtësi maksimale prej 300 kilometra për orë.

Automjeti do të jetë prej materiali të lehtë për të rritur shpejtësinë.

 

Marrë nga “The Verge”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore