“Masat e marra për t’u shmangur incidentet më 3 prill”, ambasadori italian flet me Sveçlen e Kajarin

SHFLETO
Valon Rashiti
31.03.2022 22:32
Loading Icons...

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, është takuar me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlen dhe komandantin e KFOR-it, Ferenc Kajari dhe kanë biseduar për sigurinë në Kosovë.

“U diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë, programet dypalëshe dhe masat e marra për të shmangur incidentet para zgjedhjeve në Serbi . Ai përsëriti thirrjen që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Italisë në Twitter.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që në mënyrë që të bëhet zgjidhje sa i përket zgjedhjeve serbe, një gjë duhet ta bëjë Qeveria e Serbisë.

T’i dërgojë kërkesë zyrtare Qeverisë së Kosovës.

Derisa Serbia ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë, e cila arsyetoi se kjo do të përbënte një “de fakto njohje të Kosovës”, edhe Kurti ka refuzuar të diskutojë modalitete të mëtutjeshme.

Më 23 mars, shtetet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës) përmes një deklarate të përbashkët janë shprehur të zhgënjyer me Qeverinë e Kosovës pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, teksa u shprehën vlerësues ndaj “qasjes konstruktive të Serbisë”.

“Një qëndrim i tillë i Qeverisë së Kosovës nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e tyre evropiane”, kanë shkruar shtetet e QUINT-it.

“Ndonëse e vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga shtetet e QUINT-it. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, shkruhet më tej.