Kosova

Masat e BE-së po ndikojnë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës, thotë Zeka


Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura Kosovës në muajin qershor të vitit të kaluar pas mos-gatishmërisë së ekzekutivit për të de-përshkallëzuar situatën në Veri të vendit, sipas drejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, po e dëmtojnë Kosovën jo vetëm nga aspekti monetar, por edhe atë diplomatik.

Masat e BE-së, sipas drejtorit të Odës Amerikane, Arian Zeka, po ndikojnë në reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare sidomos në aspektin e njohjes së vendit nga shtetet e tjera apo anëtarësimit në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

“Përtej aspektit monetar, përtej humbjeve që Kosova ka nga mos përfitimi i asistencës se BE-së, qoftë asistencës direkte monetare apo edhe asaj që ofrohet në formë teknike, ndikimi me negativ i këtyre masave është te imazhi i vendit, te reputacioni i tij”, ka potencuar ai në një intervistë për Ekonomia Online.

I pyetur se pse masat nuk po largohen, Zeka potencon se Qeveria nuk është duke i kryer zotimet e saja me të cilat është ngarkuar.

“Po nëse institucionet e BE-së në këtë rast e ngarkojnë me përgjegjësi qeverinë e Kosovës për mungesë të konstruktivitetit në dialog edhe mos zbatim të disa prej zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr në dialog me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja atëherë pashmangshëm se përgjigjja duhet kërkuar aty. Pra te mos kryerja e atyre zotimeve të cilat shteti i Kosovës i ka marr”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore