Marsh protestues në Pejë – kërkohet rikthimi i nxënësve në shkolla

SHFLETO

Marshi në Pejë për rikthimin në shkolla.

 

Altina Marmullaku
19.09.2022 14:02
Loading Icons...

Thirrje të shumta janë bërë nga qindra qytetarë në Pejë që të ndërpritet greva në arsim.

“Qeveri-SBASHK, duam zgjidhje, duam të fillojmë procesin mësimor”, “nxënësit në shkollë”, ishin vetëm disa nga thirrjet në këtë marsh.

Arta Kollqaku Gashi, kryetare e Këshillit të Prindërve të Pejës, ka kërkuar që të gjendet sa më shpejt një zgjidhje që rikthen nxënësit në shkollë.

“Me këtë marsh paqësor me moto Qeveri – SBASHK duam nxënësit në shkollë, u bëjmë thirrje dyja palëve të gjejnë zgjidhje sa më të shpejtë, që ne të fillojmë procesin mësimor. Fëmijët e kanë vendin në shkollë e jo në shtëpi”.

Të njëjtën thirrje e kishte edhe Hazir Tigani, kryetari i Këshillit të Prindërve të rrafshit të Dukagjinit.

“Të mos rrezikojnë të nxjerrin ata në rrugë për qëllime të dy palëve. Mësimdhënësit i mirëpresin nxënësit në shkollë, bëjë apel që sa më parë të marrin vendim e të nxjerrin fëmijët nga kjo fushëbetejë që është mes dy palëve”, u shpreh Tigani.

Marshi në Pejë për rikthimin në shkolla.

Teksa ka apeluar që të ndalohen ofendimet ndaj mësimdhënësve.

“Nuk është mirë, nuk është në nderin tonë, si komb e qytetarë, të fyejmë nderin e mësimdhënësit. Sot të nderuar prindër keni pasur rastin të vini e bashkëngjiten për të treguar kërkesat e juaja e nuk duhet bërë kjo me fyerje në portale të ndryshme. Mësimdhënësit janë truri i kombit tonë, të mos e lëndojmë se nuk mund të lëvizim më pas. Të mos i fyejmë e të ruajmë raportet, pasi janë mësimdhënësit e fëmijëve tanë”.

Tash e tri javë greva në arsimin e Kosovës është duke vazhduar.

Që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh.

Edhe pas takimeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës nuk është gjetur një gjuhë e përbashkët mes dy palëve.

Pavarësisht mos realizimit të kërkesave të sindikalistët disa shkolla kanë vendosur që të fillojnë procesin mësimor.

Të enjten e 15 shtatorit, në komunën e Gjakovës pesë shkolla kanë filluar procesin mësimor.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjakovës, Eranda Kumnova Baçi.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës në Kosovë, Rrahman Jasharaj për deklaroi për Albanian Post se, “vetëm 17 mësimdhënës janë duke tentuar të punojnë dhe ata dolën që janë të afërt me pushtetin”.

Edhe pas takimit që ishte mbajtur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ai kishte pohuar se greva vazhdon të mbetet e njëjtë.

“Kemi shumë komuna dhe shkolla në raport me atë që më thanë greva është e njëjtë. Unë po them mund të ketë individë që dëshirojnë të punojnë. Besoj se do të ketë dezinformata edhe nga grupe të caktuara që disa shkolla kanë filluar punën”.

Ndërsa nga kryeministri i Kosovës, kreu i SBASHK-ut ka kërkuar që jetë “kryeministër i të gjithëve”.

Çfarë duan grevistët?

Grevistët kanë kërkesë që qeveria t’ua rris pagat për 100 euro shërbyesve publikë, përfshirë mësimdhënësit, derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Ata thonë se për nëntë muaj rresht kanë kërkuar takim me Kurtin, por ai nuk i ka pranuar.

Gjithashtu, Jasharaj kishte deklaruar se i kanë dërguar 83 shkresa në qeveri dhe asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.