Marrëveshje mes Shqipërisë dhe Italisë për trajtimin e hemofilisë

SHFLETO
albanianpost
12.11.2021 14:24
Loading Icons...

Të premten e 12 nëntorit, ministrja shqiptare e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka firmosur me homologun e saj italian, Roberto Speranza, një marrëveshje për trajtimin e sëmundjeve të lindura të gjakut – hemofilisë.

Kjo marrëveshje përforcon bashkëpunimin mes të dyja vendeve dhe siguron mbështetje në trajtimin e hemofilisë.

Ky protokoll mirëkuptimi, i cili është firmosur në Romë, sipas ministres, për herë të parë garanton sigurinë e faktorëve koagulues të gjakut, edhe për aspektet e profilaksisë apo për rastet e rënda hemofilike.

Sipas Manastirliut, kjo i hap rrugën aspekteve të profilaksisë edhe në Shqipëri.

“Unë e kam falenderuar ministrin Speranza për ndihmën që ka dhënë qeveria italiane përgjatë viteve”, theksoi ministrja.

Në përmbyllje ajo nuk la pa përmendur bashkëpunimet në kuadrin e luftës anti-COVID gjatë pandemisë.

Ministrja deklaroi se ka komunikuar me ministrin Speranza edhe për një rivlerësim të udhëtimeve të shqiptarëve drejt Italisë.