Kosova

Marrëveshja për burgjet “e ngutshme, 200 të burgosur në Gjilan transferohen në vende tjera”


Pas ratifikimin të Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, rreth 200 të burgosur duhet të transferohen në burgjet tjera të vendit. Prandaj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës kërkon që zhvendosja e tyre të bëhet me kujdes, meqë e vlerëson të ngutshme ratifikimin e kësaj marrëveshje.

“Sistemi Korrektues në Kosovë momentalisht nuk ka hapësira të veçanta për vendosjen e të paraburgosurve, Qendrat e Paraburgimit në Prishtinë, Pejë, Prizren dhe Mitrovicë janë pothuajse të mbushura me të paraburgosur dhe aktualisht nuk ka vende të lira. Andaj, zhvendosja e të paraburgosurve nga Burgu i Gjilanit, duhet të bëhet me kujdes të veçantë në mënyrë që mos të bjerë standardi i ndërtuar ndër vite për vendosjen e të paraburgosurve”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim thuhet se përveç mungesës së debatit në Kuvend, për këtë marrëveshje nuk është organizuar nga institucionet qeveritare asnjë diskutim me ekspertët e fushës, shoqërinë civile apo organizatat e të drejtave të njeriut.

“I vetmi diskutim për këtë marrëveshje është organizuar nga QKRMT në vitin 2022, ku në prezantimet e tyre ekspertët ndërkombëtar i patën paraqitur sfidat eventuale në zbatimin e kësaj marrëveshje”.

Sipas QKRM-së, Komiteti i OKB-së kundër Torturës ka shprehur shqetësim e saj në raport me këtë Marrëveshje duke vënë në spikamë rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, nëse të burgosurit transferohen për të vuajtur dënimin nga Danimarka në Kosovë.

Ndryshe, Projektligji për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës është miratuar në seancën e së enjtes, nga 94 deputetë në seancën e Kuvendit, 86 deputetë kanë votuar pro kësaj marrëveshje, 7 kundër dhe asnjë abstenim – ndonëse e njëjta ishte kritikuar nga shoqëria civile kjo pasi sipas tyre në burgje mund të krijohen “standarde të dyfishta”.

Përmes marrëveshjes me Danimarkën, Kosova parashihet t’i fitojë mbi 200 milionë euro. Nga shuma 200 milionë euro sa parashihet të përfitonte Kosova 30 milionë planifikohen të shkojnë për energji të ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh.

Ndërsa, pagesa tjetër do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në pajtim me numrin e të burgosurve që objekti mund t’i strehojë.

Kosova s’duhet të shndërrohet “strehë për kriminelët”, marrëveshja me Danimarkën sjellë “standarde të dyfishta”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore