Lajme

Marrëveshja e Cop28: Vendet bien dakord për ‘tranzicionin’ nga karburantet fosile


Gati 200 vende në samitin e klimës Cop28 kanë rënë dakord për një marrëveshje që, për herë të parë, u bën thirrje të gjitha kombeve të largohen nga karburantet fosile për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimit të klimës.

Pas dy javësh negociatash herë pas here të ashpra në Emiratet e Bashkuara Arabe, marrëveshja u përfundua nga presidenti i Cop28, Sulltan Al Jaber, duke marrë duartrokitje nga delegatët dhe një përqafim nga shefi i klimës i OKB-së, Simon Stiell.

Sakaq, marrëveshja nuk përfshinte një përkushtim të qartë për të hequr urgjentisht ose gradualisht karburantet fosile, siç kishin kërkuar shumë vende, grupe të shoqërisë civile dhe shkencëtarë.

Por arriti një kompromis që u bën thirrje vendeve të kontribuojnë në përpjekjet globale për t’u zhvendosur nga lëndët djegëse fosile në sistemet energjetike “në një mënyrë të drejtë, të rregullt dhe të barabartë, duke përshpejtuar veprimet në këtë dekadë kritike, në mënyrë që të arrihet zero neto deri në vitin 2050”.

Al Jaber tha se marrëveshja dha një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj një rivlerësimi global nëse vendet po përmbushnin marrëveshjen historike të Parisit për klimën e arritur në vitin 2015.

Pati konfuzion në sallë menjëherë pas miratimit të marrëveshjes, pasi shumë palë kishin supozuar se do të kishte një debat mbi tekstin, i cili u lëshua për shqyrtim vetëm katër orë përpara se të miratohej.

Aleanca e Shteteve të Vogla Ishullore, që përfaqëson 39 vende, tha se nuk kishte qenë në sallë kur u miratua marrëveshja pasi ishte ende duke koordinuar përgjigjen e saj.

António Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, tha se “paçka nëse ju pëlqen apo jo, heqja e karburanteve fosile është e pashmangshme. Le të shpresojmë që të mos vijë shumë vonë”.

Kurse John Kerry, i dërguari i SHBA-ve për klimën, tha se “ky dokument dërgon një sinjal shumë të fortë për botën, ne duhet t’i përmbahemi mbajtjes së 1.5 gradë të ngrohjes rreth niveleve paraindustriale të arritshme”.

Sipas marrëveshjes, vendet pranonin “nevojën për reduktime të thella, të shpejta dhe të qëndrueshme në emetimet e gazit serrë” dhe bën thirrje për një trefishim të kapacitetit global të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2030.

Ajo përsëriti gjuhën e rënë dakord në samitet e mëparshme duke u bërë thirrje kombeve për të përshpejtuar përpjekjet “drejt uljes së fuqisë së pandërprerë të qymyrit”.

Po ashtu bën thirrje për zhvillimin e një liste të teknologjive me emetim zero dhe të ulët.

Ndërkohë, mbrojtësit e drejtësisë klimatike thanë se teksti ishte shumë larg asaj që ishte e nevojshme për një tranzicion të drejtë.

Kjo pasi i mungonte një rrugë për të mbledhur qindra miliarda financa të nevojshme për vendet në zhvillim për të ndihmuar në largimin e qymyrit, naftës dhe gazit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore