Film

Marilyn Monroe Estate i del në mbrojtje Ana de Armas pas reagimeve për theksin e saj


Ana de Armas ne rolin e Marilyn Monroe

Zyrtarja “Marilyn Monroe Estate” i ka dalë në mbrojtje aktores Ana de Armas, e cila po luan ikonën e Hollivudit në dramën e ardhshme të Andrew Dominik dhe Netflix, “Blonde”.

Një trailer zyrtar për filmin u shfaq premierë në internet më 28 korrik dhe la shumë shikues të indinjuar për kastin e de Armas, sepse theksi i saj nuk përputhej plotësisht me tonin ikonik të Monroe-s.

Filmi nuk është i autorizuar nga zyra e Monroe-s, por megjithatë grupi qëndron pranë kastit të de Armas.

“Marilyn Monroe është një ikonë unike e Hollivudit dhe kulturës pop që kapërcen brezat dhe historinë”, tha Marc Rosen, president i “Authentic Brands Group” (ABG), i cili zotëron “Marilyn Monroe Estate”.

“Çdo aktor që hyn në atë rol e di se ka këpucë të mëdha për të mbushur. Bazuar vetëm në trailerin, duket se Ana ishte një zgjedhje e shkëlqyeshme për kastin, pasi ajo kap magjepsjen, humanitetin dhe cenueshmërinë e Marilyn. Mezi presim ta shohim filmin në tërësi!”, ka thënë mes tjerash ai.

De Armas nuk i ka komentuar publikisht kritikat, por në një intervistë për gazetën e Londrës “The Times”, ajo tha se iu deshën nëntë muaj stërvitje që dialekti i saj të marrë theksin e duhur të ikonës së Hollivudit.

Në filmin e shkruar dhe drejtuar nga Andrew Dominik, luajnë: Bobby Cannavale, Adrien Brody, Julianne Nicholson, Xavier Samuel dhe Evan Williams.

“Blonde”, është bazuar në romanin ‘bestseller’ të Joyce Carol Oates, është një ritregim i trilluar i jetës së Monroe-s, i cili do të ketë premierën në Netflix më 28 shtator.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore