Art&dizajn

Margariti: Nis restaurimi i murit antik të Lissus-it


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka njoftuar nisjen nga puna për restaurimin e murit antik në anën veriore të qytetit mesjetar të Lissus-it, Lezhë.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese, restauruese në këtë monumente që parashikojnë ringritjen e mbi 27 blloqeve antike të rrëzuara përgjatë viteve, risistemimin e 37 blloqeve në total të strukturës së murit si edhe pastrimin e vegjetacionit, i cili është mjaft i pranishëm.

Lezha është një grishje e përhershme dhe një estetikë e gjallë e sendeve dhe qytetërimit iliro-shqiptar, një stacion diturak i mijëvjeçarëve dhe i kënaqësive të veçanta të banorëve dhe të udhëtareve.

Çdo tregim mitologjik për Lezhën i paraprin historisë së saj plot motive dhe kontraste nga më të ndryshmet.

Jo më kot, kronikania dhe eruditja bizantine Ana Komnena, në shek. XII, e quan Lezhën një qytet të ngritur në ajër, që mund të shihet nga të gjitha anët.

Nuk është thjesht metafore e skajshme, por vetvetiu çdo shikues mund t’a vështrojë Lezhën në lartësinë e historisë së saj, në ajrin e shekujve si të dale nga frymëmarrjet poetike të poetit Ndre Mjeda, që ka shkruar mrekullisht për Lezhën.

Ku nga të kater anët, të rrethojnë metaforat e historisë; çdo njeri jeton midis tyre dhe këtu qëndron vetë sekreti i mbijetesës.

Muret rrethuese të Lisit, planimetria:

Historia e njërit prej qyteteve me te vjetër te Shqipërisë[

Muret rrethuese të Lisit përfshinin një sipërfaqe prej rreth 20 ha, duke zënë majën dhe shpatin perëndimor të një kodre pranë bregut të majtë të lumit Drin.

Muret anësore, që zbrisnin nga shpati, vazhdonin edhe në terrenin e sheshtë rrëzë kodrës, duke përfunduar në breg të lumit me nga një kullë.

Një mur tërthor që kalonte paralel me lumin, mbronte pjesën fushore. Pjesa tjetër e fortifikimit ndahej gjithashtu nga një mur tërthor, duke e ndarë qytetin në dy pjesë, të sipërmin dhe të poshtmin. Muret kanë një trashësi 3,20-3,50 m dhe janë ndërtuar me blloqe gurësh të punuara në forma trapezoidale dhe poligonale që kanë një gjatësi 0,60-1,60 m dhe lartësi 0,30-0,60 m.

Faqja e jashtme e gurëve është lënë e gufmuar, e punuar ashpër me çekiç ose ashtu siç ka dalë nga gurorja. Stilet e ndryshme të ndërtimit, trapezoidali i rreshtuar dhe poligonali ndërthuren midis tyre dhe janë të njëkohshëm.

Fortifikimi i Lisit ka pasur shumë porta, që hapeshin nga të gjitha anët e murit perimetral. Vetëm në qytetin e sipërm janë zbuluar 10 hyrje, ndërsa në qytetin e poshtëm për shkak të ruajtjes së dobët të linjes së murit rrethues akoma nuk është zbuluar ndonjë prej tyre.

Shumica e hyrjeve kishin një gjerësi prej rreth 3–4 m, duke shërbyer në këtë mënyrë për qarkullimin e karrove, gjurmët e rrotave të të cilave ruhen akoma mbi pragjet prej guri.

Hyrjet mbroheshin përgjithësisht nga kulla anësore. Porta instalohej në thellësi të një korridori, që formohej nga kulla dhe muri rrethues ose nga zhvendosja paralele e dy skajeve të murit.

Ajo ishte dykanatëshe, e siguruar nga brenda me një tra, që lëvizte horizontalisht (katarah). Muret rrethuese janë pajisur edhe me kulla, të cilat kanë më tepër karakterin e bastioneve, duke qenë të mbushura përbrenda me gurë të mëdhenj deri në lartësinë e shtegut të rojeve.

Kullat kanë forma drejtkëndëshe, me përjashtim të njërës që ka formë të rrumbullakët. Ato kanë një gjerësi ballore 6,00-10,50 m dhe projektohen nga muret 5,50×8,00 m, të vendosura zakonisht 40–50 m larg njëra tjetrës.

Përveç kullave, për të kontrolluar kurtinat janë përdorur edhe kthesa muresh sidomos në terrene me pjerrësi të theksuar.

Nga gërmimet akeologjike, muret rrethuese të Lisit, kur ai kishte marrë fizionominë e vërtetë të një qyteti antik, janë datuar në fund të shek. IV — fillimi i shek. III p.e.r., duke hedhur poshtë mendimin tradicional se Lisi ka qenë një koloni sirakuziane e themeluar në fillim të shek. IV nga Dionisi plak i Sirakuzës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore