Kosova

Marciacq: Serbia e përdor veriun e Kosovës për të shantazhuar Perëndimin


Florent Marciacq

Florent Marciacq, bashkëpunëtor i institutit francez për marrëdhënie ndërkombëtare (IFRI), në një intervistë për shërbimin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës, ka thënë se Serbia e përdor pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe për të trembur e shantazhuar Perëndimin.

“Serbia e përdor veriun e Kosovës për destabilizim dhe për të trembur Perëndimin me agresion më të madh… Kështu që vazhdimisht kemi një lloj shantazhi”, ka thënë ai, duke shtuar se ideja që  marrëveshja për shitjen e avionëve luftarakë “Rafale” nga presidenti francez, Emmanuel Macron, do ta afrojë Serbinë më pranë Bashkimit Evropian (BE) është një iluzion.

“Është një iluzion që Franca ose Macron padyshim e kanë – se shitja e disa ‘Rafale’-ëve do ta drejtojë Serbinë drejt BE-së ose Evropës. Është një iluzion të mendosh se për shkak se Serbia furnizon me municion Ukrainën, atëherë ajo është e përkushtuar ndaj Evropës”, ka nënvizuar ndër të tjera Marciacq.

Ndryshe, vëzhgues të çështjeve ballkanike kanë thënë se partneriteti ndërmjet Serbisë dhe BE-së – posaçërisht për litiumin, dhe kontrata multimiliardëshe për avionët “Rafale” të Francës – do t’i ofrojnë presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, një mburojë kundër çfarëdo kritike apo presioni rreth politikës destruktive kundër Kosovës e autoritarizmit në rritje në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore