Lajme

Maqedonia e Veriut miraton vendimin, së shpejti një pikë e përbashkët kufitare me Kosovën


Bllacë – Han i Elezit

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka njoftuar se ekzekutivi maqedonas ka miratuar të martën raportin për negociatat e realizuara dhe teksin e përshtatur të kontratës me Kosovën për pikat e përbashkëta kufitare.

“Në seancën e sotme të qeverisë shqyrtuam dhe miratuam raportin për negociatat e realizuara dhe tekstin e përshtatur të kontratës me Qeverinë e Republikës së Kosovës për pikat e përbashkëta kufitare ‘Bllacë – Han i Elezit’ dhe ‘Jazhincë – Glloboçicë’”, ka shkruar Grubi në llogarinë e tij.

“Lehtësojmë lëvizjen ndërkufitare me Republikën e Kosovës. Vendkalimet e përbashkëta kufitare së shpejti do të bëhen realitet. Angazhuam Ministrinë e Punëve të Brendshme t’i qaset nënshkrimit të kësaj marrëveshje të rëndësishme”, ka shtuar ndër të tjera zëvendëskryeministri shqiptar.

Kontroll të përbashkët kufitar Maqedonia e Veriut më herët ka vendosur edhe me Shqipërinë dhe Serbinë. Lëvizja e qytetarëve dhe e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri e Serbi dhe anasjelltas nga e gushti i vitit 2019 është zhvilluar vetëm përmes një pikë kufitare.

Kosova, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut gjithashtu kanë ratifikuar tre marrëveshjet e Procesit të Berlinit, që kanë të bëjnë me lëvizjen vetëm me letërnjoftim, njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve.

Marrëveshjet janë nënshkruar nga të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, por të njëjtat nuk janë ratifikuar nga Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina. Megjithatë, kjo nuk i pengon shtetet tjera që i kanë ratifikuar marrëveshjet të vazhdojnë me fazën implementuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore