Lajme

Maqedonia e Veriut/ KSHZ: Deri në ora 15:00 kanë votuar 31.80% e qytetarëve


Ilustrim

Udhëheqësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Dashtevski në konferencë për media ka deklaruar se deri në ora 15:00, kanë votuar 31.80% e votuesve në nivel vendi.

Nga përpunimi i 69,86% të vendvotimeve, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar rreth 403.715 votues nga rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote.

Dashtevski deklaroi se komuna me më tepër përqindje të daljes në votime është Novaci me 59,68%, ndërsa Qendër Zhupa regjistron më pak votues, respektivisht 19.99%.

Udhëheqësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Dashtevski

“Në disa komuna ka pasur dalje të madhe. Komuna Novaci me 59,16%, Demir Hisari 54.87%. Komuna Lozovo me 54.04%. Vevçani 51.25% dalje. Karminci 49.3%”, njoftoi mes tjerash Dashkovski.

Për shkak të pamundësisë për votuar me sistemin “fingerprint”, votimi në gjashtë komuna nga 80 sa janë gjithsej, po zhvillohet me mënyrën e vjetër ndërsa në 11 komuna ka pasur ndërprerje të votimit për më shumë se një orë.

Në këto komuna votimi do të vazhdojë edhe pas orës 19:00, por jo më shumë se tre orë pas kësaj kohe.

“Pjesëmarrja në votime është solide, procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht në atmosferë të qetë dhe demokratike”, është shprehur kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski.

Ndërsa sipas KSHZ deri në ora 13:00, kanë votuar gjithsej 237 mijë e 476 qytetarë, gjegjësisht 20.76 %.

Për kryetarë të komunave garojnë 299 kandidatë dhe 577 lista këshilltarësh me 10 mijë e 600 kandidatë.

Konsiderohet se gara kryesore në këto zgjedhje zhvillohet mes dy blloqeve politike, LSDM-së dhe BDI-së që janë në pushtet dhe partive opozitare VMRO-DPMNE dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

Partitë shqiptare garën do ta zhvillojnë për qytetet me shumicë shqiptare në Tetovë, Gostivar, Çair, Kërçovë, Strugë, Dibër si dhe disa komuna tjera më të vogla.

Beteja mes partive maqedonase është përqendruar në qytetet e mëdha si Shkupi, Kumanova, Manastiri, Prilepi, Ohri, Velesi, Shtipi dhe komunat tjera më të vogla.

Shumica e komunave aktualisht drejtohen nga Lidhja Social – Demokrate e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ndërsa komuna me shumicë shqiptare nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Zgjedhjet do të mbikëqyren nga 1 mijë e 100 vëzhguesit vendorë dhe 217 vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë OSBE-ODIHR.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore