Lajme

Maqedonia e Veriut i kërkon Turqisë ekstradimin e të dyshuarit për vrasjen e 14-vjeçares


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Këtë të mërkure Maqedonia e Veriut ka kërkuar zyrtarisht nga Turqia ekstradimin e Ljupço Palevskit, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e vajzës 14 vjeçare, Vanja Gjorçevska, në Shkup dhe të 74 vjeçarit, Pançe Zhezhovski, në qytetin e Velesit.

Kërkesa është bërë nga Ministri shqiptar i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, derisa në njoftim theksohet se presin bashkëpunim me institucionet relevante turke për këtë çështje.

Ministri shqiptar i Drejtësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga.

“Ministri i Drejtësisë, Krenar Loga ka nënshkruar kërkesën për ekstradim të Ljupço Palevskit dhe pasi të përkthehet në gjuhën turke, menjëherë do t’u dërgohet autoriteteve turke, gjegjësisht Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Turqisë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut.

“Presim bashkëpunim me autoritetet gjyqësore të Republikës së Turqisë dhe veprim nga ana e tyre në një kohë sa më të shkurtër, pas çka Ljupço Palevski do të sillet para organeve të drejtësisë në vendin tonë”, theksohet aty.

Ndryshe, Ljupço Palevski (59 vjeç), biznesmeni dhe politikani maqedonas, i cili dyshohet për vrasjen e dyfishtë në Maqedoninë e Veriut, mbrëmjen e 5 nëntorit është arrestuar në qytetin e Balıkesirit në Turqi.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, në një konferencë të jashtëzakonshme për media të martën në mbrëmje, ka konfirmuar se deri tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar për kidnapimin dhe vrasjen e 14-vjeçares, përfshirë edhe organizatorin kryesor dhe autorin e vrasjes, i cili ishte arratisur jashtë vendit pas kryerjes së krimit.

Spasovski ka thënë se Palevski është arrestuar në pjesën aziatike të Turqisë dhe ka pranuar se është organizatori i kidnapimit dhe autori i vrasjes së 14-vjeçares, ndërsa ka njoftuar se i dyshuari aktualisht ndodhet në qendrën e paraburgimit në shtetin turk dhe është në pritje të përfundimit të procedurës pas së cilës menjëherë do të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut.

Ljupço Palevski

“Ne kemi marrë një njoftim nga Turqia se organizatori dhe autori kryesor i vrasjes është kapur dhe privuar nga liria në territorin turk. Kjo ka qenë hallka e fundit e këtij akti të tmerrshëm që mungonte për të thënë se kemi përfunduar gjithçka që është brenda juridiksionit të Maqedonisë së Veriut për zbulimin dhe kapjen e kryerësve të krimit”, ka deklaruar Spakovski.

Trupi i pajetë i 14-vjeçares është gjetur të dielën e 3 dhjetorit në Shkup, ndërsa ai 74-vjeçarit është gjetur në Veleshtë. Organizatori dhe autori i vrasjes është kryetar i një partie pro-ruse të krahut të djathtë në Maqedoninë e Veriut. Ai ishte i angazhuar në biznesin e ndërtimit dhe ishte ndaluar në Serbi pas një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Kroacia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore