Lajme

Maqedonia e Veriut heq ndalimin e fluturimit për ministrin e Jashtëm rus, Lavrov


Ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim këtë të premte për t’i lehtësuar sanksionet ndaj Federatës Ruse, duke hequr masën kufizuese për fluturimin e avionëve rus në hapësirën e saj, kjo për t’i mundësuar pjesëmarrjen në konferencën vjetore të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov.

Pas disa konfuzioneve që u krijuan ditëve të fundit, posaçërisht të premten, se ekzekutivi maqedonas kishte hequr sanksionet ndaj Rusisë – të vendosura pas agresionit të kësaj të fundit në Ukrainë – Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga Bujar Osmani, njoftoi se bëhet fjalë për një plotësim të një vendimi të mëparshëm që pasoi vendimin e Bashkimit Evropian për sanksionet kundër Rusisë.

“Qeveria maqedonase me anë të këtij ‘plotësim – vendimi’, i autorizon ministritë përkatëse që të vendosin vetë për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus për shkak takimit ministror të OSBE-së në Shkup, nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023”, thuhet në njoftimin e MPJ-së maqedonase.

Nga kjo ministri kanë theksuar se plotësimi i vendimit është në përputhje me rregulloren e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja”.

Sipas raportimeve të mediave në Shkup, kryediplomati rus, planifikonte që të udhëtonte, për të marrë pjesë në këtë konferencë, përmes Bullgarisë apo Greqisë, të cilat do t’i mundësonin kalimin nëpër hapësirat e tyre ajrore.

Ndërsa, pak ditë më parë, kryediplomati shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherit kryesues i OSBE-së, tha për Zërin e Amerikës se është në kontakt me kabinetin e Lavrov-it dhe se ai ka shprehur interesimin të marrë pjesë në këtë konferencë.

Osmani kishte vlerësuar takimin e nivelit të lartë si ngjarjen më të rëndësishme të kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut, por ai kishte lënë të kuptohet se Moska mund të bllokojë planet për drejtimin e ardhshëm të organizatës dhe zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të saj, që ndoshta do të vinte në pikëpyetje të ardhmen e organizatës më të madhe të sigurisë në botë.

Maqedonia e Veriut po bën përgatitje për këtë takim në nivel ministrash ku pritet të jenë të pranishëm rreth një mijë përfaqësues të delegacioneve nga vendet anëtare të OSBE-së. 30 nëntori dhe 1 dhjetori janë shpallur ditë pushimi në kryeqytet për të lehtësuar trafikun dhe qarkullimin e pjesëmarrësve në konferencë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore