Lajme

Maqedoni: Ulen çmimet bazë për 7 denarë


ilustrim

Për të zbutur rritjen e çmimeve në këtë periudhë krize ekonomike, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka vendosur që të ngrijë marzhat për produktet bazë të ushqimit.

Nga kjo e mërkurë, marzha tregtare ngrihet sërish në 5 për qind për bukën, vajin dhe sheqerin në tregtinë me pakicë dhe shumicë.

Ndërsa për orizin, qumështin, vezët, miellin dhe makaronat marzha tregtare do të kufizohet në 10 për qind.

Sipas njoftimit zyrtar të shtetit, këto ngrirje do të vlejnë deri në fund të shtatorit.

Ndërsa, deri në fund të vitit hiqen të gjitha kostot shtesë të prodhuesve dhe tregtarëve.

Sipas ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, vetëm mbi këtë bazë pritet të ulet çmimi i produkteve për gjashtë deri në shtatë denarë.

“Në fushën e formimit të çmimeve, nuk do të llogariten kosto shtesë operative deri në fund të vitit, dhe nuk do të miratohen zbritje apo tarifa për çdo tregtar që i paguan tregtari në pakicë ose shitësi”.

“Nuk do të ketë shpenzime shtesë për prodhuesit dhe importuesit e produkteve ushqimore bazë, në bazë të marrëveshjeve që ata bëjnë me njëri-tjetrin në fushën e pozicionimit, reklamimit etj. Nëse vaji për gatim kushton 150 denarë vetëm në bazë të zbritjes së paguar nga shitësit e mëdhenj çmimi rritet për 6 deri në 7 denarë”, ka njoftuar Bekteshi.

Ministri Bekteshi thotë se lista e produkteve për të cilat do të ngrihet marzha mund të zgjerohet, nëse nga inspektimi i tregut vërehet rritje drastike e çmimeve.

Krahas këtyre masave për zbutjen e goditjeve në çmime, pas miratimit të rishikimit të buxhetit do të jenë në dispozicion edhe masat në ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë, që do të mbulojë vetëm qytetarët dhe kompanitë më të cenueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore