Kosova

Maqedonci: Vuçiç po neglizhon përmbylljen e dialogut, po pret rezultatin e luftës në Ukrainë


Ejup Maqedonci

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po neglizhon përmbylljen e procesit të dialogut Kosovë-Serbi, pasi që ka vlerësuar se ai është në pritje të rezultatit të luftës në Ukrainë, dhe pas kësaj të vlerësojë situatën se cila është më e favorshme për Beogradin zyrtar.

“Vlerësojmë që presidenti Vuçiç, politika aktuale në Serbi janë duke neglizhuar çështjen e përmbylljes së dialogut, të marrëveshjes me qëllim që të presin rezultatin e luftës në Ukrainë, rezultatin për të marrë anë që ata vlerësojnë që është e mirë për ta”, ka thënë Maqedonci, në Samitin e Ballkanit për dezinformim.

Ministri ka vlerësuar se lufta në Ukrainë, pra invazioni rus në Ukrainë, “në një farë forme ka ndikuar edhe në destabilizmin rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe inkurajimin e elementeve të caktuara si brenda strukturave shtetërore të Serbisë, por edhe elementëve të tjerë që gjenden në rajon për të zhvilluar aktivitete të stabilitetit dhe për të minuar integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.

“Kjo është manifestuar haptazi me 24 shtator të vitit të kaluar kur në grup paramilitarësh i armatosur dhe i uniformuar, mbështetur nga strukturat e sigurisë së Republikës së Serbisë ka tentuar një kapje tereni, një invazion të pjesshëm të një pjese të territorit të vendit tonë”, shtoi ai.

Në prizmin e Maqedoncit, kjo nuk është bërë rastësisht, duke shtuar se grupi i sulmit terrorist në Banjë, ka përdorur armatim që është prodhuar në fabrikat shtetërore të Serbisë.

“Kjo është bërë edhe me influencën që shërbimi sekret rus ka në shoqërinë serbe por edhe në institucionet e Republikës së Serbisë. Kemi evidencat që këto grupe, bazuar në faktet që janë gjetur, kanë përdorur armatim të thelluar në fabrikat shtetërore të Republikës së Serbisë, kanë qenë të trajnuar nga instruktorë ushtarakë si dhe dyshojmë që gjatë kësaj periudhe prej që ekziston qendra humanitare ruse në Nish mund të jenë të trajnuar dhe të përgatitur nga kjo qendër”, vazhdoi ai, transmeton “KosovaPress”.

Sulmi terrorist në Banjë

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit të vitit të kaluar, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë Heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, për t’i larguar më pas, për shkak të presionit ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore