Maqedonci: UÇK-ja dhe intervenimi i NATO-së e lanë të papërfunduar projektin gjenocidal të Serbisë  

SHFLETO

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

 

Altina Marmullaku
11.06.2024 12:35
Loading Icons...

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, teksa ka uruar ditën e çlirimit të Prishtinës, ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe intervenimi ushtarak i NATO-së, e kanë lënë të papërfunduar projektin gjenocidal që kishte nisur nga Serbia.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka kujtuar detyrat kryesore të UÇK-së.

“Mëngjesi i 11 qershorit 1999, Prishtinën e gjeti të lirë. Detyrat kryesore të njësive të UÇK-së ishin pengimi i ndonjë masakre të mundshme kundër popullatës civile nga forcat tashmë të mposhtura ushtarake dhe paraushtarake serbe, pengimi i plaçkitjeve të shtëpive të qytetarëve të Prishtinës nga ato forca si dhe mundësimi i fillimit të funksionimit normal të jetës në kryeqytet”.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe intervenimi ushtarak i NATO-s lanë të papërfunduar projektin gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve të filluar në 1878 në Sanxhakun e Nishit të Vilajetit të atëhershëm të Kosovës dhe të vazhduar për më shumë se një shekull”, ka shkruar ai.

Tutje ai ka thënë se së bashku me Komandantin e zonës operative të Llapit, Rrustem Mustafa, kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe shumë bashkëluftetarë të zonës operative të Llapit, kanë vendosur buqeta lulesh te shtatorja e heroit të Kombit, Zahir Pajaziti.

Të martën u bën 25 vjet nga çlirimi i Prishtinës. Në këtë datë, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës hynë në kryeqytet.

Kjo u bë në ditën kur hyri në fuqi marrëveshja e Kumanovës e nënshkruar më 9 qershor në Kumanovë të Maqedonisë së Veriut në mes forcave të NATO-së dhe ushtrisë jugosllave.

Pas kësaj dakordance nisi edhe tërheqja e forcave serbe nga Kosova, derisa një ditë pas trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë.

Tërheqja e plotë e trupave serbe përfundoi më 20 qershor 1999. Me hyrjen e trupave ndërkombëtare u mundësua edhe kthimi në Kosovë e më shumë se 800 mijë refugjatëve.

Për 25 vjetorin e çlirimit të kryeqytetit, në Prishtinë pritej që vinte për vizite ish-administratori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bernard Kouchner, por vizita e këtij të fundit u anulua.