Kosova

Maqedonci të mërkurën në Kroaci, diskutohet për situatën e sigurisë


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiç.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të mërkurën do të jetë në Kroaci për t’u takuar me ministrin e Mbrojtjes  Ivan Anushiç, me të cilin do të diskutojë për situatën e sigurisë në Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes së Kroacisë.

“Zëvendëskryeministri i Republikës së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes Ivan Anushiq do të takohen me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës Ejup Maqedonci të mërkurën, më 26 qershor 2024 në Ministrinë e Mbrojtjes”.

“Në takim do të diskutohet për bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes, situatën e sigurisë  si dhe sfidat globale të sigurisë”, thuhet në njoftim.

Pas takimit është planifikuar që Maqedonci dhe Anushiç, të kenë konferencë për media.

Ndryshe, Forcat e Armatosura të Kroacisë (HKoV), marrin pjesë në operacionet e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, që nga 16 qershori i vitit 2009.

Vendimi ishte marrë nga Kuvendi i Kroacisë në korrik të vitit 2008, derisa për vitin 2023 dhe 2024 qeveria kroate ka miratuar dërgimin e deri 160 pjesëtarëve të ushtrisë në misionin paqeruajtës në Kosovë.

Rreth 1 mijë ushtarë më shumë – nga vende të ndryshme anëtare të NATO-s – numërohen më shumë në kuadër të KFOR-it, pas tensioneve të shumta që mbizotëruan vitin e kaluar në Veri të vendit, pra rritja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë drejtim, NATO ka marrë vendim që të dërgojë trupa shtesë në kuadër të misionit të tij në Kosovë, për të parandaluar kështu ndonjë konflikt eventual që mund të cenonte sigurinë dhe paqen e rajonin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore