Lajme

Maqedonci takon Shefin e EULEX-it, bisedojnë për situatën e sigurisë në Veri


Ejup Maqedonci dhe Giovanni Pietro Barbano

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, këtë të marte është takuar me Shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin kanë diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë në Veri të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit ka ngjallur shqetësim tek të gjithë, “mirëpo është menaxhuar në mënyrën jashtëzakonisht profesionale nga ana e Policisë së Kosovës, dhe për këtë ishim që të dy dakord”.

“Shefin e EULEX-it e falënderova për mbështetjen ofruar Policisë së Kosovës gjatë kësaj kohe përmes prezencës së EULEX-it në Veri, gjë që sigurisht ka kontribuar në stabilizimin e situatës”, ka shtuar ai.

Foto: Ejup Maqedonci

Në këtë takim Ministri i Mbrojtjes ka theksuar se me kujdes të shtuar dhe në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës dhe KFOR-it “jemi duke monitoruar situatën që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”.

Në fund, Maqedonci ka theksuar se me shefin e EULEX-it janë dakorduar që kanë interesa të përbashkëta për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore