Lajme

Maqedonci për arrestimin e pjesëtarit të FSK-së: Do të veprohet në përputhje me rregullorët


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Pas konfirmimit se i dyshuari i tretë në vrasjen e Liridona Murselit është edhe pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kushtrim Kokalla, ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka reaguar duke thënë se ndaj pjesëtarit të FSK-së do të veprohet në përputhje me rregullorët.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Maqedonci ka kërkuar që të gjithë të përfshirët në rast të marrin dënimin meritor.

“I tronditur kam përcjellur ngjarjen e fundit tragjike, atë të vrasjes së Liridona Ademaj. Ndërkohë që zhvillimet e fundit rreth zbardhjes së rastit kanë sjellur një situatë makabër në publik, para pak çastesh jam informuar për arrestimin e një pjesëtari të FSK’së në lidhje me rastin”.

“Të gjithë të përfshirët në rast duhet të marrin dënimin meritor ndërsa deri në zbardhjen e plotë të rrethanave, ndaj pjesëtarit të FSK’së do të veprohet në përputhje me rregulloret e FSK-së”, ka shkruar ai.

Teksa, ka shprehur ngushëllime ndaj familjarëve.

“Ngushëllime familjes, të afërmve dhe gjithë qytetarëve të prekur nga vrasja e Liridona Ademajt!”.

Ministria e Mbrojtjes, e ka konfirmuar se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademaj është edhe pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kushtrim Kokalla.

Bashkëshorti i Liridona Ademaj, i dyshuari Naim Murseli, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.

Çka ndodhi?

Tre persona janë arrestuar të cilët dyshohet për vrasjen e një gruaje L.M, të mërkurën me armë zjarri në Prishtinë përkatësisht në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa trupi i saj është gjetur në një veturë.

Nga mediat fillimisht është raportuar se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i saj, Naim Murseli – këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli e më pas lajmi u konfirmua nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Lajmin për arrestimin e dy personave e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, ka thënë Ahmeti për AP

Rasti është duke u hetuar si vrasje “me armë zjarr”.

Ngjarja e rëndë që kishte ndodhur më 29 nëntor, fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete”, kishte thënë Ahmeti me 29 nëntor

Ahmeti bëri me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”

Ndërsa, policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim  dhe  ndërmarrjën e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmoj hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore