Kosova

Maqedonci pas takimit me komandantin Erbakan: Diskutuam rreth programeve të Focave Speciale Turke që mund t’i ndjek FSK-ja


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandanti i Forcave Speciale, gjeneral Omer Ertugrul Erbakan.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, pas takimit me komandantin e Forcave Speciale, gjeneral Omer Ertugrul Erbakan, ka diskutuar për programet trajnuese të Forcave Speciale Turke që mund të ndjekin edhe ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se në një kohë kur bota po përballet me kërcënime të natyrës hibride, njësitë jokonvencionale si Forcat Speciale përbëjnë kapacitet të rëndësishëm.

“Gjatë takimit me komandant Erbakan diskutuam rreth programeve trajnuese të Forcave Speciale Turke që mund të ndjekin ushtarakët e Forcës Speciale të FSK-së”.

“Komandantin e falënderova për mbështetjen e deritanishme, ndërsa u dakorduam për të vazhduar bashkëpunimin me qëllim avancimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së”, ka shkruar Maqedonci.

Më 29 janar, Kosova dhe Turqia kanë nënshkruar marrëveshjen ushtarake kornizë, me qëllim të bashkëpunimit për shërbimin e personelit ushtarak.

Sipas ministrit, tashmë do të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe në aspektin ushtarak, përveç lidhjes kulturore mes dy shteteve.

Edhe më 17 tetor, Maqedonci kishte pritur në takim ministrin e Mbrojtjes së Turiqsë, Yasar Guler.

Ai ishte pritur me nderime të larta shtetërore, pasi do të zhvillonte një vizitë zyrtare në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore