Kosova

Maqedonci: Me veprën e tij Zahir Pajaziti, u bë i gjithë hapësirës shqiptare


Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në ditëlindjen e ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, ka bërë homazhe tek shtatorja e tij në sheshin e Prishtinës.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, i ka vlerësuar lartë veprat patriotike të Pajazitit.

“Data 1 nëntor është ditëlindja e Zahir Pajazitit, shpirtit të guerilës shqiptare për çlirimin e Kosovës. Zahiri ka lindur në ditën e parë të nëntorit të vitit 1962, në Turuqicë të Gollakut, por me veprën e tij patriotike ai u bë i gjithë hapësirës shqiptare”.

Ndërsa, ka kujtuar organizimet dhe aksionet që ka kryer gjatë luftës në Kosovë.

“U lind në Gollak dhe u rrit mes traditave të Llapit. U shkollua në Vushtrri dhe në Prishtinë, ndërsa u stërvit dhe u strehua në Tiranë. Mbajti lidhje e kontakte me Drenicë e Dukagjin, kurse u shoqërua me shokë edhe nga Pollogu”.

“Organizoi dhe kreu aksione në çdo zonë të Kosovës, sepse ai besonte që lufta për çlirim duhej të shtrihej në tërë Kosovë”.

Zahir Pajaziti u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën, më 31 janar të vitit 1997 në Pestovë të Vushtrrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore