Kosova

Maqedonci me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, diskutojnë për ngritjen e operacionalitetit ushtarak


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjeneral major Arben Kingji.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci të mërkurën është takuar me shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës të Shqipërisë, gjeneral major, Arben Kingji, me të cilin ka diskutuar rreth situatës së sigurisë në Kosovë.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë për të garantuar mbrojtjen e interesave kombëtare.

“Me këtë rast, shpreha mirënjohje time të thellë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, për kontributin e veçantë të tyre në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, veçanërisht në fushën e arsimimit dhe stërvitjes”, ka shkruar ai.

Ndërsa, kanë diskutuar edhe për rëndësinë e mbështetjes së ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë ndaj Kosovës.

“Gjithashtu ritheksova rëndësinë e jashtëzakonshme që ka për ne, mbështetja direkte nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe FARSH, si shtet anëtar i NATO-s, duke pasur parasysh përvojën e madhe në procesin e integrimeve euroatlantike, si dhe në ngritjen dhe zhvillimin e operacionalitetit ushtarak në përgjithësi”.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë që nga viti 2014 kur kanë filluar të mbajnë mbledhje të përbashkëta kanë nënshkruar gjithsej 116 marrëveshje.

Vetëm në nëntor të vitit 2021, janë nënshkruar 13 marrëveshjet Shqipëri-Kosovë prej të cilave 4 kanë nisur të zbatohen plotësisht.

Marrëveshjet mbulojnë fusha të ndryshme, që prekin direkt jetën e qytetarëve të dy vendeve përfshirë edhe atë të mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore