Lajme

Maqedonci: Mbi 290 milionë euro janë investuar në ushtri për 3 vjet


Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se brenda tre viteve, qeveria që ai bënë pjesë, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, ka investuar në ushtri më shumë se “e gjithë periudha që nga koha e transformimit të Trupave Mbrojtës të Kosovës (TMK), në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK)”.

Këto komente, Maqedonci i ka bërë përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ku ka theksuar se për këto vite të qeverisë Kurti janë investuar mbi 290 milionë euro në ushtri.

“Nga më pak se 4 milionë euro sa ishte investuar në armatime gjatë qeverisjes së kaluar, në këtë periudhë 3 vjeçare është investuar mbi 290 milionë euro, me ç’rast dhe kemi shënuar një ngritje rekord të kapaciteteve luftarake të ushtrisë sonë”, ka shkruar ai.

Të dhëna të paraqitura nga Ejup Maqedonci

“Brenda tre viteve kemi investuar më tepër investime se e gjithë periudha që nga koha e transformimit të TMK-së në FSK”, shtoi.

Në përfundim, ministri potencoi se do të vazhdojnë me “hapa të sigurt” ta konsolidojnë ushtrinë e Kosovës.

Edhe më 29 dhjetor, Maqedonci kishte thënë se buxheti i ndarë për vitin 2023 është më i larti ndër vite që nga 2019.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Maqedonci kishte theksuar se Qeveria e Kosovës e ka vëmendjen e plotë tek FSK-ja.

“204 milionë ishte buxheti i ndarë për ushtrinë gjatë vitit 2023. Pakrahasimisht me qeverisjet e tjera si buxhet e investime, sepse Forca e Sigurisë së Kosovës ka vëmendjen e plotë të Qeverisë”.

“Ushtarakë të trajnuar, ushtri me sisteme më moderne të armatimit ishte zotimi ynë, këtë e kemi përmbushur” .

Maqedonci ka shtuar se, “FSK është krenaria jonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore