Kosova

Maqedonci: Mazanek shprehu gatishmërinë për ta akredituar Atasheun e Mbrojtjes së Kosovës në Çeki


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Bohumil Mazanek.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci është takuar të enjten me ambasadorin e Republikës Çeke në Kosovë, Bohumil Mazanek me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se kjo ka theksuar nevojën për bashkëpunim mes shteteve për të luftuar influencën ruse.

“Gjatë takimit diskutuam rreth situatës së sigurisë në vend dhe rajon, dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit ndërmjet shteteve për të luftuar influencën ruse”.

Ndërsa, ka pohuar se ambasadori ka rikonfirmuar mbështetjen e tij për Kosovën.

“U dakorduam për të rritur bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive dhe forcave të të dyja shteteve. Ndër të tjerash ambasadori Mazanek shprehu gatishmërinë e Republikës Çeke për të akredituar Atasheun e Mbrojtjes së Kosovës në Çeki”.

“Përmes një bashkëpunimi të sinqertë me partnerët tanë ruajmë vlerat e përbashkëta pro-perëndimore”.

Ai ka thënë se ka falënderuar atë për mbështetjen ndaj Kosovës, në situata të nevojshme.

“Ambasadorin e falënderova për kontributin e Çekisë në sigurinë e vendit si pjesë e trupave të KFOR-it, dhe po ashtu mbështetjen e ofruar në proceset e përafrimit të Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO, veçanërisht gjatë periudhës së kryesimit të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjë që i ka kontribuar liberalizimit të vizave për Kosovën”, ka shkruar ai.

Më 17 nëntor edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ishte takuar me ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek, me të cilin kishte diskutuar për objektivat kryesore të Kosovës.

Ku ishte thënë se vendet e rajonit kanë bërë përparim në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.

“Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht dorëzuam dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”.

Më 7 nëntor edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kishte kërkuar nga Mazanek përkrahje për Kosovën në rrugën e integrimeve euroatlantike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore