Kosova

Maqedonci: Lufta s’fillon nesër, por indikacionet politike s’japin mundësi për një zgjidhje tjetër


Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka vlerësuar se një luftë eventuale me Serbinë nuk është afër, por indikacionet politike të bëjnë të mendosh se gjërat do të arrijnë në atë pikë.

“Nuk është që lufta do të fillojë nesër, por indikacionet politike nuk japin mundësi për një zgjidhje tjetër në rast se vazhdohet në këtë format nga Serbia”, ka thënë ai në një intervistë për Euronews Albania.

Shqetësues, sipas Maqedoncit, mbetet fakti që Serbia politikisht vazhdon të ketë qasje hegjemoniste dhe agresive në raport me Kosovën.

“Kjo krijon pasiguri jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin”, ka shtuar ai.

Megjithatë Maqedonci ka potencuar se Kosova po zhvillon kapacitetet e saj mbrojtëse.

“Ne po zhvillojmë kapacitetet tona mbrojtëse, po e pajisim ushtrinë e Kosovës me të gjitha kapacitetet dhe me të gjitha trajnimet e nevojshme dhe po pajisemi për të qenë të gatshëm gjithmonë për të mbrojtur territorin e vendit tonë, pa cenuar territorin e asnjë vendi përreth dhe këtë do e bëjmë me çdo mjet e çdo kusht nëse paraqitet nevoja”.

Ditë më parë Maqedonci kishte theksuar se tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën.

“Një zbarkim i trupave serbe jo larg territorit tonë, tri nga katër brigada serbe janë vendosur në jug të Serbisë, jo shumë larg kufirit me Kosovën. Këto tri brigada kanë tejzgjatje operacionale, 28 baza ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë janë në distancë nga 300 metra deri pesë kilometra larg kufirit të Kosovës”, tha Maqedonci gjatë një interviste në A2 CNN.

Maqedonci: Tri brigada serbe janë shumë afër kufirit me Kosovën

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore