Kosova

Maqedonci: Kosova rikonfirmoi edhe një herë mbështetjen ndaj Ukrainës


Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në takimin e 17-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ka thënë se edhe një herë Kosova ka rikonfirmuar mbështetjen e pakusht për Ukrainën.

Maqedonci, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë se Ukraina po e përjeton atë që Kosova e kishte ndjerë në 99-tën.

“54 shtetet anëtare në mesin e të cilave dhe Kosova, edhe një herë rikonfirmuam mbështetjen e pakusht për Ukrainën që po vazhdon të përballet me agresionin rus”.

“Ukraina po përjeton atë që Kosova e ndjeu gjerë në palcë në luftën e vitit 1999”, ka shkruar Maqedonci.

Ai tutje ka thënë se Rusia po njëlloj si dhe Serbia njeh vetëm forcën.

“Në një gjendje të tillë kur kërcënohet paqja përtej hapësirës gjeografike të shtetit ukrainas ne qëndrojmë të gjithë së bashku”.

“Bashkë për të përkrahur Ukrainën, të drejtën dhe popullin e pafajshëm që don t’i kthehet normalitetit, mijëra të shpërngulurve që presin t’i kthehen shtëpive dhe jetës së tyre të zakonshme pa ushtima bombardimesh e ndjenjë frike se çfarë do të sjell e nesërmja”.

Maqedonci, është shprehur optimist se populli ukrainas do të kaloj të gjitha sfidat.

“Populli ukrainas me ndihmën e shteteve demokratike do të kaloj çdo vështirësi, sepse po luftojnë për familjen e tyre për të ardhmen e tyre, dhe ne përkrahim forcën e tyre për çlirim”.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, rreth 6.2 milionë ukrainas kanë ikur jashtë vendit qoftë përkohësisht, apo përherë.

Para fillimit të luftës më 2022, Ukraina kishte një popullsi prej rreth 41.4 milionë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore