Kosova

Maqedonci: Kosova e konfirmoi edhe një herë mbështetjen ndaj Ukrainës – do të jemi krah aleatëve deri në fund


Foto nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë takimit të 18-të me radhë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë konfirmuar edhe një herë mbështetjen e Kosovës, ndaj Ukrainës e cila është duke vazhduar të përballet me agresionin rus.

Maqedonci, ka thënë se këtë e kanë bërë duke marrë pjesë në takimin e 18-të me radhë të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, udhëhequr nga Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin III.

“Fokusi i këtij takimi ishte vijimi i ofrimit të asistencës ushtarake në armatime, pajisje dhe trajnime për forcat e armatosura ukrainase nga vendet e këtij koalicioni”.

“54 shtetet anëtare të këtij grupi, ndër të cilët edhe Kosova, e konfirmuan edhe një herë mbështetjen e plotë për Ukrainën, që po vazhdon të përballet me agresionin rus”.

Ai tutje ka potencuar se në luftën e saj përballë agresionit rus, Ukraina dhe populli ukrainas nuk do të jenë të vetëm.

“Shtetet demokratike do t’i qëndrojnë pranë Ukrainës dhe ushtrisë e popullit të saj, sepse ata po luftojnë në të drejtën e tyre. E krah tyre dhe aleatëve të saj, do të jetë edhe Kosova, deri në fund!”, ka shkruar ai në rrjetin social ‘Facebook’. 

Sipas zyrtarëve ukrainas, vetëm në periudhën 29 dhjetor 2023 – 2 janar 2024, Rusia ka nisur më shumë se 500 dronë të prodhuar prej Iranit në qytetet ukrainase.

Kjo valë sulmesh ka rritur presionin në kapacitetet ajrore për mbrojtje të Ukrainës, dhe rezervat e municioneve, për çka presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka shtuar thirrjet ndaj aleatëve që t’i ndihmojnë Kievit.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore