Kosova

Maqedonci: FSK-ja po ngritë kapacitetet – kemi bërë shumë rrugë që nga dalja e parë e UÇK-së


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në Ditën e Forcës ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), po vazhdon të rritë kapacitet e saj përmes investimeve në armatim.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Maqedonci e ka quajtur ushtrinë e Kosovës “jetësim të ëndrrës shekullore”.

“Po fillojmë festën me Ditën e Forcës, ushtrisë që është jetësim i ëndrrës tonë shekullore, simbol krenarie e garancë e një jetë të sigurt për gjithë qytetarët e Republikës, kufi i pakalueshëm për këdo që tenton të cënoj territorin e këtij shteti”.

Për Maqedoncin, shqiponja e flamurit kujton gjithmonë idealet e dëshmorëve të Kosovës.

“Ushtria jonë po ngritë kapacitetet e saj në vazhdimësi përmes investimit në armatime, përmes vajzave dhe djemve sypatrembur që me krenari e fisnikëri bartin uniformën e FSK-së, emblema e së cilës është e përbashkëta e kombit, shqiponja e flamurit që na rikujton idealet e dëshmorëve tanë, historinë po aq sa edhe origjinën që përtej kufijve e në secilin prej nesh frymon lirshëm”.

Ministri ka kujtuar edhe sakrificën e bërë për ditët që aktualisht gjendemi.

“Shumë rrugë kemi bërë që nga dalja e parë publike e UÇK-së e deri tek formimi i ushtrisë sonë FSK-së në shtetin e pavarur të Kosovës”.

“Luftuam për të drejtën, lirinë, për paqen, dhe përpjekjet e popullit tonë liridashës do të vazhdojnë përkrah partnerëve tanë strategjik. Synimi ynë është anëtarësimi në familjen evropiane dhe në NATO, nga ku do i kontribuojmë paqes që duhet mbizotëruar gjithandej globit, mbrojtjes së vlerave demokratike që janë kusht i domosdoshëm për ekzistencën e njerëzimit, lirisë univerzale të njeriut”.

Ai u ka uruar të gjithëve Ditën e Forcës, “Ditën e Ushtrisë sonë”.

Në “Ditën e Forcës”, në kazermën e Adem Jasharit, janë ekspozuar armët e FSK-së.

Buxheti për vitin 2024 në fushën e mbrojtjes sipas Qeverisë së Kosovës, do të jetë në vlerë prej 153 milionë euro, apo 30 milionë euro më shumë sesa në vitin paraprak.

Kjo u bë e ditur nga kryeministri Albin Kurti më 31 tetor, i cili tha se rritja e buxhetit prej 30 milionë euro nga viti paraprak, tregon përkushtimin e tyre në fushën e sigurisë.

Ndryshe më 16 nëntor, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2024 në vlerë prej 3.3 miliardë eurove, një rritje e vogël krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore