Kosova

Maqedonci falënderon Italinë për kontributin në sigurinë e Kosovës


Ejup Maqedonci dhe Guido Crosetto

Ministri i Mbrojtes së Kosovës, Ejup Maqedonci, gjatë vizitës së tij në Itali, ka takuar të enjten homologun italian, Guido Crosetto, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen dhe kontributin e shtetit italian në aspektin e sigurisë në kuadër të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

Maqedonci, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij në “Facebook” të enjten, ka thënë se gjatë takimit me ministrin Crosetto, kanë diskutuar rreth situatës aktuale në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e mbrojtjes për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

“Falenderova ministrin Crosetto për mbështetjen dhe kontributin që Italia ka dhënë në Kosovë përmes trupave ushtarake dhe të sigurisë si pjesë e KFOR-it dhe EULEX-it, ndërsa theksova se synimi i Kosovës është i qartë. Angazhimi ynë për t’u anëtarësuar në organizatat Euro-Altantike reflekton vlerat demokraktike, pro-perëndimore që përqafojmë si shtet”.

Kujtojmë se 15 ushtarë italianë të KFOR-it janë kthyer në shtëpi për trajtim mjekësor, pas lëndimeve të marra nga protestuesit e dhunshëm në Zveçan – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës më 29 maj. Italia është njëra prej vendeve mike me të cilën Kosova ka ndërtuar raporte të shkëlqyera bilaterale, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore