Lajme

Maqedonci e Ministri slloven i Mbrojtjes për situatën e sigurisë


Ejup Maqedonci dhe Marjan Sarec

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar këtë të premte në Prishtinë me Ministrin e Mbrojtjes së Sllovenisë, Marjan Sarec, me të cilin ka biseduar rreth situatës së sigurisë në vend, por edhe më gjerë.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka thënë se në këtë takim ka theksuar se sulmi i 24 shtatorit është shqetësues “për faktin se prapa tij qëndrojnë strukturat shtetërore të Serbisë, andaj duhet trajtuar me shumë vëmendje si veprim që tregon hapur tendencën për destabilizimin e vendit, rrjedhimisht të Ballkanit Perëndimor”.

“Krahas situatës së sigurisë ministrin Sarec e njoftova për të gjitha përparimet e FSK-së gjerë më tani, për kapacitetet dhe vullnetin tonë për të thelluar bashkëpunimin me forcat sllovene përmes trajnimeve dhe misioneve të përbashkëta, si dhe aktiviteteve të tjera ushtarake që mund t’i zhvillojmë përtej planit bilateral”, shkroi ai.

Foto: Ejup Maqedonci

Tutje, ministri ka njoftuar se ka shprehur qëndrimin e shtetit që ai përfaqëson sa i përket luftës në Ukrainë dhe “synimin e qartë që kemi si shtet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, A5 dhe në NATO”.

Nga homologu i tij slloven, ministri i mbrojtjes, siç ka treguar ai, ka kërkuar mbështetjen e Lubjanës zyrtare në rrugëtimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat euro-atlantike, “për të cilin objektiv ministri garantoi mbështetjen e padiskutueshme të shtetit slloven”.

Në fund, Maqedonci theksoi se e kaluara e përbashkët dhe qëndrimi pro vlerave perëndimore janë lidhja e pashkëputshme ndërmjet dy shteteve tona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore